Telegrafi

Ismaili: Buxheti për shëndetësi do të jetë mbi 200 milionë euro

Foto: Arkiv

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se buxheti për shëndetësi për vitin 2018 do të jetë mbi 200 milionë euro.

Ismaili ka thënë se me këtë buxhet do të arrijnë që të bëjnë përmirësime të ndjeshme në disa drejtime të rëndësishme të sektorit shëndetësor.

Sipas tij, investimet kapitale, rritja e personelit mjekësor, rritja e buxhetit për barna esenciale etj, janë vetëm disa nga zhvillimet në drejtim të reformave në shëndetësi.

“Në ditën e parë kishim premtuar që do ta rrisim buxhetin për shëndetësi, sot, për herë të parë ai do të jetë mbi 200 milionë euro”, ka thënë Ismaili duke shtuar.

“Kemi shtuar për 126 % mjetet për investime kapitale nga 10 milionë në 24.6 milionë euro. Kemi siguruar mjetet për punësimin e 100 mjekëve dhe 100 infermierëve të ri. Është shtuar për 36 %, krahasuar me vitin paraprak, buxheti për barnat esenciale”.

Buxheti i Kosovës për vitin 2018 do të jetë 2 miliardë e 82 milionë euro.