Në Ferizaj, sot është vendosur gurthemeli i spitalit të këtij qyteti, projekt i Ministrisë së Shëndetësisë në vlerë prej 10 milionë eurosh.
Në këtë ngjarje morrën pjesë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e komunës së Ferizajt, Agim Aliu.
Spitali i ri do të jetë bashkëkohor dhe do të përmbushë nevojat e rreth 250 mijë qytetarëve për shërbime mjekësore sekondare: 100 mijë banorëve të Ferizajt dhe rreth 150 mijë qytetarëve të qyteteve përreth, Shtimes, Kaçanikut, Vitisë e Shtërpcës.
Ministri Uran Ismaili, më 25 janar të këtij viti, kishte nënshkruar kontratën për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt, i cili sot nisi të bëhet realitet.
Qëllimi i këtij projekti është krijimi i hapësirave dhe sipërfaqeve të nevojshme për të krijuar kushte për punë dhe për të ofruar shërbime më cilësore për pacientët.
Investitor i këtij projekti 10 milionë euro është Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt.
Ministri Uran Ismaili tha se në më pak se tre vjet Ferizaj do të ketë një nga spitalet më moderne në vend.
“Ka qenë e pakuptueshme se si një qytet me një histori të lavdishme, në veçanti në aspektin mjekwsor gjatë luftës, si Ferizaj, nuk ka pasur një spital të vetin. Tani, një padrejtësi po rregullohet dhe Ferizaj do të ketë një nga spitalet më moderne, me pajisje moderne, dhe i cili do të përmbush të gjitha kërkesat e qytetarëve të Ferizajat me rrethinë për trajtime shëndetësore”, tha ministri Uran Ismaili.
Ministri Ismaili ka treguar se ky projekt edhe pse është i paraparë që të përfundoj për tre vjet, do të angazhohet që të përfundoj edhe më herët, dhe për këtë e ka përkrahjen e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Ndërtimi i Spitalit të Ferizajt do të përfundojë pas 600 ditë pune (rreth 3 vjet). Lokacioni ku do të ndërtohet spitalit i ri i Ferizajt, ka një hapësirë prej 2.7 hektarë, kurse objekti do të ketë 22 mijë metra katrorë.
Projektimi i spitalit është me shtatë kate, brenda të cilëve do të ketë 220 shtretër dhe të gjitha hapësirat tjera të nevojshme për punë dhe shërbime mjekësore.
Spitali i Ferizajt do të nisë punën me pajisje të reja dhe bashkëkohore, infrastrukturë që do të krijojë kushte për punë dhe shërbime cilësore për pacientë. /Telegrafi/