Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili gjatë vizitës zyrtare në Zagreb është pritur sot nga homologu i tij kroat Milan Kujundzic, me të cilin diskutoi për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në shëndetësi.
Ismaili në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Kroacia vazhdon të jetë mbështetëse e Kosovës në të gjitha proceset e saj të rëndësishme.
“Si një ndër vendet më stabile dhe të zhvilluara në rajon, Kroacia vazhdon të jetë mbështetëse e Kosovës në të gjitha proceset e saj të rëndësishme. Reformat e mëdha që ka kaluar ky shtet para hyrjes në BE, me ministrin kroat të Shëndetësisë, Milan Kujundzic, u pajtuam që t’i bartim edhe në Kosovë. Forcimi i kapaciteteve profesionale të ministrisë, përmirësimit të gjendjes nëpër klinikat tona dhe edukimi i vazhdueshëm për profesionistët tanë shëndetësor, janë tri pikat kyçe në të cilat Kroacia do të ndihmojë Kosovën në vitet në vijim”.
Ismaili bëri të ditur se ka vizituar edhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të Kroacisë me të cilën vendosëm marrëdhëniet e para bilaterale pas luftës, për ngritjen e Sigurimeve shëndetësore edhe në Kosovë.
“Brenda dy viteve të para të këtij mandati edhe qytetarët tanë do të jenë të mbuluar nga sigurimet shëndetësore të Kosovës”, shkruan ministri Ismaili. /Telegrafi/