Site icon Telegrafi

Ismaili, Bahtirit e Tahirit: Ju jeni të shqetësuar për veten, e jo për qytetarët e sistemin shëndetësor

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, u është kundërpërgjigjur kryetarëve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë, Agim Bahtirit dhe Xhafer Tahirit, të cilët kishin lëshuar një komunikatë të përbashkët duke akuzuar atë për ndikime politike në zgjedhjen e drejtorëve të spitaleve.

Ministri Ismaili ka thënë se ata mund të jenë të shqetësuar, mirëpo, jo për qytetarët dhe as për sistemin shëndetësor, por për veten.

“Ashtu siç është e vërtetë se kur flasin për “politizim” dhe “dëmtim të sistemit shëndetësor”, realisht mendojnë në “punët” që kanë bërë, e që do t’u ndërpriten, në komunat e tyre”, ka thënë Ismaili.

Më tej, Ismaili, ka thënë se vizioni i PDK-së, të cilin ai si Ministër i Shëndetësisë është duke e shtrirë me kënaqësi të madhe dhe vullnet të fortë gjithandej institucioneve shëndetësore, është ekskluzivisht për qytetarët.

Lexo po ashtu Bahtiri dhe Tahiri akuzojnë PDK-në për politizim të spitaleve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë

Lexoni reagimin e plotë të ministrit:

Agim Bahtiri i AKR-së / VV-së dhe Xhafer Tahiri i LDK-së, në një reagim të përbashkët, paskan shprehur shqetësim e tyre për procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të spitaleve në Mitrovicë dhe Vushtrri – komuna që ata drejtojnë.

Bahtiri e Tahiri paskëshin kërkuar anulimin e konkurseve, me arsyetimin se po tentohet të politizohen spitalet dhe të dëmtohet sistemi shëndetësor.

Është e vërtetë që ata mund të jenë të shqetësuar. Mirëpo, jo për qytetarët dhe as për sistemin shëndetësor, por për veten e tyre.

Kur flasin për “politizim” dhe “dëmtim të sistemit shëndetësor”, Bahtiri e Tahiri realisht mendojnë në “punët” që kanë bërë, e që do t’u ndërpriten, në komunat e tyre.

Me reformat që kemi nisur në shëndetësinë kosovare – largohen të papërgjegjshmit që u shërbejnë klientelave dhe afrohen profesionistët që u shërbejnë qytetarëve.

E di se kjo dhemb shumë. Sepse, për ata që kanë instaluar klientelizmin në qytetet e tyre, qoftë në spitalet rajonale, qoftë në shërbimet spitalore, prerja e rrënjëve të krimit – nënkupton dobësimin e tyre dhe forcimin e qytetarëve.

Vizioni i PDK-së, të cilin unë si Ministër i Shëndetësisë jam duke e shtrirë me kënaqësi të madhe dhe vullnet të fortë gjithandej institucioneve shëndetësore, është ekskluzivisht për qytetarët.
Sa për konkurset, ato hapen nga SHSKUK dhe jo nga Ministria e Shëndetësisë.

Bahtiri dhe Tahiri bëjnë mirë të mos përzihen në kompetencat e Drejtorit të SHSKUK-së.

Ky është presion që bëhet për t’i ruajtur interesat e tyre. Por, i siguroj që të dy, dhe këdo tjetër, se nuk do të ketë dorëzim në luftimin e krimit dhe në qëllimin e mirë që më në fund të kthehet mbarë shëndetësia.

E dimë të gjithë rrëfimin për shëndetësinë e udhëhequr nga LDK gjatë mandatit të kaluar qeverisës. E kanë shtrirë atë përtokë.

E di se do të marrë kohë për ta çuar në këmbë. Por, punët e mira kanë nisur dhe ato do të vazhdojnë.

Së fundi, jam ndjerë jashtëzakonisht i kënaqur me statistikat që tregojnë se me funksionalizimin 24-orësh të shërbimit të kardiokirurgjisë me kardiologji invazive, në kuadër të QKUK-së, është rritur dukshëm vëllimi i punës dhe janë shënuar rezultate në reduktimin e listave të pritjes. Ndër të tjera, janë kursyer edhe 3 milionë euro.

Po i ndaj me të gjithë këto statistika. Janë zhvillime pozitive, aq shumë të nevojshme, që japin shpresë për atë që besojmë – shëndetësinë e mirë. /Telegrafi/

Exit mobile version