Telegrafi

Islanda i jep mbështetje liberalizmit të vizave për Kosovën

Ministri i Jashtëm në detyrë i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi po zhvillon një vizitë njëditore në Rejkjavik të Islandës.

Kjo është njëherësh vizita e parë ndonjëherë e ndonjë zyrtari kosovar në këtë shtet nordik. Ministri i Jashtëm Selimi është pritur nga homologu i tij, Gunnar Bragi Sveinsson, dhe nga Sekretari i Përhershëm i Shtetit, Stefán Haukur Jóhannesson. Selimi pati edhe një debat në Komisionin për Politikë të Jashtme të parlamentit islandez, njofton MPJ.

Shefi i diplomacisë kosovare dhe ministri i jashtëm islandez biseduan rreth zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, por edhe për përkushtimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare shumëpalëshe. Ata diskutuan edhe për ndihmën e Islandës në rritjen e ndërveprimit institucionale në organizata të ndryshme multilaterale. Ministri Bragi Sveinsson premtoi përkrahje të vazhdueshme dhe angazhim të Islandës në këtë drejtim, duke shtuar se ka simpati të veçantë si “shtet i vogël për shtetin e vogël”.

Dy ministrat floën edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, gjersa kryediplomati islandez nënvizoi se vendi i tij mbështet fuqishëm liberalizimin sa më të shpejtë të vizave.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Rejkjavik, ministri Selimi u takua në parlamentin islandez me deputetët e të gjitha partive dhe me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme, me të cilët diskutuan për synimin e Kosovës që t’u bashkohet Këshillit të Evropës dhe NATO-s, për bashkëpunimin bilateral, dhe mori pyetje të shumta përkitazi me progresin që ka shënuar Kosova viteve të fundit.

Deputetët shprehën kënaqësinë e tyre që Kosova, një vend i dalë nga lufta para më pak se 20 vitesh, është zhvilluar aq pozitivisht, duke hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, due duke u njohur botërisht për rolin pozitiv në dialog dhe për fqinjësinë e mirë.

Sekretari i Përhershëm i Shtetit shtroi drekë punë për ministrin Selimi dhe ambasadorin kosovar Ilir Dugolli, ku u dakordua agjenda e bashkëpunimit bilateral, duke përfshirë hapat e përbashkët në organizata shumëpalëshe dhe marrëveshjet bilaterale. /Telegrafi/