Në emër të asistencës sociale për familjet serbe në nevojë, Qeveria e Serbisë do të ndajë nga 170 euro ose 20 mijë dinarë ndihma për 5 mijë serbë, vendim që do të zbatohet nga 1 shkurti.
Eksperti i sigurisë Avni Islami ka thënë se njoftimi i Qeverisë së Serbisë është përpjekje për të blerë votat e serbëve lokalë në Kosovë, dhe rrjedhimisht për të siguruar më shumë vende për Listën Serbe, që me shumë gjasë tashmë e ka humbur besimin e komunitetit pakicë serb në Kosovë.
“Ky vendim lidhet me deklaratat e para ca ditëve të presidentit autoritar Aleksandar Vuçiq për të shpallur Kosovën “zonë speciale e mbrojtjes sociale” me ç’rast do t’i krijohet mundësia qytetarëve serbë për të përfituar financiarisht”, ka shkruar Islami në X.
Për më tepër, Islami thotë se veprimi i radhës i Beogradit zyrtar tregon qartë se nuk synon përkujdesjen ndaj serbëve, por vetëm shtrirjen e ndikimit në Kosovë përmes instrumentalizimit të qytetarëve serbë.
“Kjo “ndihmë” vjen në mes të fushatës zgjedhore, që nënkupton që Serbia po i përdor serbët e Kosovës për vota, pikërisht në dobi të Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit. A po i “blen” Serbia serbët?”, ka përfunduar Islami.
Kjo “ndihmë” vjen në mes të fushatës zgjedhore, që nëkupton që Serbia po i përdor serbët e Kosovës për vota, pikërisht në dobi të Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit. A po i “blen” Serbia serbët?
— Islami Avni (@IslamiAvni36251) January 23, 2025