Site icon Telegrafi

​Islami: Petkoviqi me deklaratat e tij ndërhyn në procesin zgjedhor në Kosovë

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka thënë se deklaratat e fundit të Petar Petkoviqit, drejtor i të ashtuquajturës “Zyre për Kosovë” janë një përpjekje e hapur për të ndërhyrë në procesin zgjedhor të Kosovës dhe për të krijuar një narrativë të rreme që synon mobilizimin politik të serbëve përmes frikës dhe manipulimit.

Islami në një postim në Facebook shkruan se pretendimi i tij se “Prishtina ka plasuar lajme të rreme” në lidhje me transportin e serbëve të zhvendosur për të votuar nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje për të shitur.

Lexoni të plotë postimin:

Manipulim politik dhe Trushpëlarje Elektorale – Petkoviqi me deklaratat e tij ndërhyn në Procesin Zgjedhor në Kosovë

Deklaratat e fundit të Petar Petkoviq, drejtorit të ashtuquajturës  “Zyrës për Kosovë” janë një përpjekje e hapur për të ndërhyrë në procesin zgjedhor të Kosovës dhe për të krijuar një narrativë të rreme që synon mobilizimin politik të serbëve përmes frikës dhe manipulimit. Kjo është një taktikë e njohur që Beogradi ka përdorur vazhdimisht për të mbajtur nën kontroll komunitetin serb në Kosovë, duke e shfrytëzuar atë si një instrument politik dhe jo si qytetarë me të drejta të plota në një proces demokratik.

Pretendimi i tij se “Prishtina ka plasuar lajme të rreme” në lidhje me transportin e serbëve të zhvendosur për të votuar nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje për të shitur një narrativë viktimizuese, që synon të forcojë ndikimin e Beogradit mbi zgjedhjet në Kosovë. Në vend që të inkurajojë një proces të lirë dhe demokratik, Beogradi po bën përpjekje të drejtpërdrejta për të organizuar dhe diktuar votën e serbëve përmes mekanizmave të tij politikë, duke shkelur parimet bazë të një demokracie të lirë.

Për më tepër, fakti që Beogradi “ka marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar” mbi pjesëmarrjen e serbëve të zhvendosur në votime, tregon se Serbia vazhdon të trajtojë zgjedhjet në Kosovë si një çështje të brendshme të saj dhe jo si një proces sovran brenda një shteti të pavarur. Serbia nuk ka asnjë autoritet mbi zgjedhjet në Kosovë dhe ndërhyrjet e tilla vetëm sa minojnë përpjekjet për një përfaqësim të drejtë të serbëve që jetojnë në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version