Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami thotë se Serbia në vazhdimësi tenton t’i shtrembërojë faktet dhe provat të cilat dëshmojnë për kryerjen e gjenocidit të cilin forcat dhe paramilitarët serbë e kryen në Reçak.
Ai thekson se jo më larg se vitin e kaluar u arrestuan agjentë shqiptarë të cilët ishin përpjekur që të fabrikojnë prova të rrejshme për këtë masakër.
Islami tha se masakra e Reçakut ishte thirrje dhe ndërgjegjësim për bashkësinë ndërkombëtare për krimet që po kryheshin në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-99.
Në viti 2024 janë arrestuar dy persona, Bedri Shabani e Muharrem Qerimi, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me BIA-n serbe.
Mësohet se arrestimi i tyre ishte bërë i mundur pas zbulimit nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.
Një ditë pas arrestimit të tyre, Policia e Kosovës kishte kryer bastisje në pronat e dy të dyshuarve ku në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska dhe maska gazi ushtarake.
“Reçakun e kujtojmë dhe do ta kujtomë përherë si një prej masakrave më të tmerrshme që kanë kryer dhe gjenocid. E ka bërë shteti serb dhe paramilitarë të ndryshëm. Dhe në të njëjtën kohë kur e kujtoj masakrën e Reçakut, dhe jo larg më tepër se 1 vit kemi një indikacion nga ana e Serbisë, në vend që të kërkoj falje për masakrën që është bërë, ajo përpiqet në vazhdimësi që t’i shtrembërojë faktet dhe provat që paramilitarët dhe ushtria serbo-sllave ka kryer gjenocid. Kemi rastin e angazhimit të dy agjentëve shqiptarë me një të BIA-së, të cilët përpiqen të fabrikojnë prova të rrejshme kinse masakrën e Reçakut e kanë kryer Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe fatbardhësisht nuk u arrit qëllimi duke iu falënderuar AKI-së e cila arriti t’i demaskoj këta dy agjentë. Pra, në vend që të kërkojnë falje për krimet, ata përpiqen që t’i shtrembërojë ato prova jo vetëm , por gjatë gjithë kohës kur tashmë i kemi krerët e UÇK në Hagë përpiqen që të fabrikojnë prova të rrejshme për ta denigruar UÇK-në”, thotë ai.
Islami thotë se provat janë të pakontestueshme dhe tregojnë se Serbia vrau në Reçak 45 shqiptarë të paarmatosur.
“Këto fabrikime të këtyre provave të cilat janë përpjekur në vazhdimësi që t’i bëjë. Madje tash shteti serb edhe pas përfundimit të luftës nuk kanë pasur sukses duke iu falënderuar institucioneve të Kosovës dhe duke e parë ndërgjegjësimin edhe të bashkësisë ndërkombëtare, tashmë këto prova janë të pakontestueshme dhe në vendngjarje në atë kohë ishte William Walker dhe bashkëpunëtorët dhe kjo më tashmë është çështje e mbyllur”, deklaroi Islami.
Në 26-vjetorin e kësaj masakre, në Kompleksin Memorial në Reçak bënë homazhe numër i madh i qytetarëve si dhe figura politike.
Krerët shtetërorë të Kosovës kërkuan drejtësi për viktimat e masakrës së Reçakut.
Në akademinë përkujtimore u theksua nevoja që gjykimi dhe ndëshkimi kriminelëve që vranë 45 civilë të pafajshëm në Reçak të ndodh, qoftë edhe në mungesë të tyre.
Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.
Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit. /kp/