Deputeti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Islam Pacolli ka kritikuar të gjithë kritikët e darkës së shumëpërfolur në vilën e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli në Hajvali javën që shkoi.
Ai ka thënë se kjo darkë ‘ndoshta ka qenë dhimbje për ata që nuk kanë restorante dhe faturat t’ua dërgojnë Ministrive’.
“Kemi pas kritika për një darkë të kabinetit qeveritar në vilën e ish presidentit të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli. Se di kujt i pengon, derisa nuk preket buxheti i Kosovës. Ose kanë një dhimbje që nuk i kanë restorantet atje për mi qu faturat nëpër restorantet e tyre. Pikërisht ata mund të bëjnë kritika të cilët janë në rregull me ligjin dhe jo ata që nuk janë në rregull me ligjin”, tha Pacolli gjatë seancës së Kuvendit.
Ndryshe, javën e kaluar zëvendëskryeministri Pacolli ka shtruar një darkë në rezidencën e tij në Hajvali, ku kanë qenë prezent kryeministri Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe ministrat e Qeverisë. /Telegrafi/