Site icon Telegrafi

ISIS shet përmes Facebookut gratë e zëna rob: 8.000 dollarë për një vajzë, por mund të negociohet çmimi

Xhihadistët në Siri dhe Irak i trajtojnë femrat e zëna rob si skllave të seksit, e në veçanti nëse ato janë kurde. Ato femra që zihen rob, konsiderohen si pronë e tyre me të cilën mund të bëjnë çfarë të duan, dhe madje edhe ti shesin në treg.

Së fundmi është publikuar në Facebook një shpallje, në të cilën thuhej se shiten skllavet e seksit me çmim të volitshëm, transmeton Telegrafi.

Xhihadisti Abu Asad Almani, që besohet të ketë shtetësi gjermane, së fundmi ka publikuar në Facebook një shpallje lidhur me shitjen e skllaveve të seksit me një çmim prej 8.000 dollarë. Në shpallje bëhej e ditur se bëhet fjalë për vajza të moshës 18 vjet.

Dhe para se Facebook të shlyente fotografitë dhe shpalljen kontroverse, në profilin e Almanit filluan të lajmërohen një numër i madh i të interesuarve, në mesin e të cilëve kishte edhe prej atyre që ishin të hapur për të negociuar për një çmim më të ulët.

“Pse është kaq e shtrenjtë? A ka ndonjë aftësi të jashtëzakonshme?”, kishte shkruar njëri prej “blerësve”, kurse xhihadisti i është përgjigjur shkurtimisht “Jo. Oferta dhe kërkesat i japin asaj këtë çmim”.

Prania e xhihadistëve në rrjetet sociale nuk është e vogël, paralajmëron Stephen Stilinski nga Instituti Medial në Lindjen e Mesme, i cili monitoron grupet ekstremiste në rrjetet sociale.

Në territoret e kontrolluara nga Shteti Islamik, aplikohet Sheriati  i rreptë ku grave nuk i mohohet çdo e drejtë themelore. Gratë e zëna rob dhe jo rrallëherë edhe vajzat, detyrohen të martohen me luftëtarët dhe të lindin fëmijët e tyre.

Sipas disa vlerësimeve, më shumë se 31.000 gra kanë mbetur shtatzënë me xhihadistë, kurse fëmijët e tyre i quajnë “ushtria e pa lindur e ISIS-it”.

Këmbimi dhe rishitja e skllaveve të seksit është një praktikë e zakonshme në Siri dhe Irak, në territoret e kontrolluara nga xhihadistët, kurse ky është rasti i parë i përpjekjes për të shitur gra përmes rrjeteve sociale.

Këtë mënyrë të shitjes së grave të zëna rob, e ndërlidhin me nevojën për të siguruar fonde të reja, pasi së fundmi kryengritësit sirianë, luftëtarët kurdë dhe ushtria e Bashar al-Assadit, kanë arritur të parandalojnë qasjen e tyre në naftë, ku me shitjen e miliona litrave financojnë aksionet e tyre. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version