Site icon Telegrafi

ISIS-i publikoi videon e sirianit që vrau tre persona në Solingen?

Siriani që vrau tre persona në Solingen të premten arriti në Gjermani në vitin 2022 dhe kërkoi azil.

Prokurorët gjermanë zbuluan identitetin e të dyshuarit pasi ai u dorëzua në polici. Burri 26-vjeçar quhej Issa Al H.

Issa Al H. dyshohet se ka treguar veprimet e tij përmes videove të publikuara nga Shteti Islamik (ISIS). Siç ka mësuar Welt, hetuesit nuk janë ende të sigurt nëse në pamje është i dyshuari sirian.

Në videon e publikuar mbrëmjen e së dielës, shihet një burrë tërësisht i maskuar. Gjatë regjistrimit, ai ka bërë gjestin “teuhid”, i cili është i zakonshëm në mesin e islamistëve dhe mbante një shpatë, raporton Bild.

Isa Al H. (26), i cili u dorëzua në polici dhe pranoi krimin, po qëndronte në një qendër refugjatësh në atë qytet në Gjermaninë perëndimore.

Ai dyshohet se i përket terroristëve të Shtetit Islamik dhe ndaj tij po zhvillohet një hetim – për vrasje, tentativë për vrasje dhe lëndim të rrezikshëm trupor në tetë raste.

Prokurorët thanë se “për shkak të besimeve radikale islamike” ai u përpoq të vriste sa më shumë njerëz që i konsideronte të pafe, duke i goditur disa herë me thikë në qafë dhe në pjesën e sipërme të trupit. /Telegrafi/

Exit mobile version