Telegrafi

ISIS pretendon përgjegjësinë për sulmin në Las Vegas, thotë se sulmuesi ishte konvertuar në Islam disa muaj më parë

Vrasësi i cili vrau 50 vetë dhe plagosi qindra, u konvertua në Islam “disa muaj më parë” dhe kreu sulmin në emër të Shtetit Islamik (IS, më parë ISIS / ISIL), raporton Reuters duke cituar faqen e internetit të grupit terrorist.

Sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Shteti Islamik (IS, më parë ISIS / ISIL) ka marrë përgjegjësinë për vrasjen masive në Las Vegas, që besohet të jetë më vdekjeprurëse në historinë moderne amerikane.

“Sulmi i Las Vegas u krye nga një ushtar i Shtetit Islamik dhe ai e kreu atë në përgjigje të thirrjeve ndaj shteteve të synuara të koalicionit”, shkruajnë mediat e huaja, duke cituar faqen e internetit Amaq.

Lexo po ashtu Gjithçka që duhet të dini për sulmuesin në Las Vegas, i cili përdori dhjetë lloje të armëve për të vrarë 58 persona dhe plagosur qindra të tjerë (Foto)

Megjithatë, siç shtohet më tej, nuk u sigurua asnjë provë për të mbështetur pretendimet e terroristëve.

Dy zyrtarë të lartë amerikanë të paidentifikuar i kanë thënë Reuters se asnjë provë nuk sugjeron një lidhje midis vrasësit dhe ndonjë grupi ndërkombëtar militant.

Ndërkohë mediat kanë shkruar se policia ka publikuar informata të reja lidhur me Stephen Paddock, sulmuesin nga Las Vegasi i cili vrau mbi 50 persona dhe plagosi 406 tjerë, kur filloi të shtie mbi turmën që ishte mbledhur për të ndjekur nga afër festivalin e muzikës country.

Sipas informatave të tyre, vrasësi i shumëfishtë nga Las Vegas është 64-vjeçar banor i Meskviti në Nevada, i cili nuk ka dosje kriminale, madje as tiketë të parkimit të paligjshëm. /Telegrafi/