Site icon Telegrafi

“ISIS po përgatit sulme, kanë hyrë në kontakt me celulat në Europë”

Lajmin për fuqizimin e Shtetit Islamik në Afganistan dhe kontaktet me celulat e tyre në Britani dhe Europën Perëndimore për organizimin e sulmeve të reja terroriste në Britani dhe kontinent e bëri publik ministri britanik i Mbrojtjes, Gavin Williamson, gjatë një vizite në Afganistan.

“Ajo që në shohim është një kërcënim real nga këto grupe ndaj Britanisë dhe në duhet të veprojmë për të shmangur sulme të ngjashme si ato në Manchester”, tha Williamson, përcjell tch.

Grupi i njohur si IS-Khorasan, ose IS-K, është një grupim rival ndaj talebanëve dhe al–Kaidas dhe ka qenë objekt i sulmeve nga forcat speciale britanike dhe amerikane në Afganistan.

Udhëheqësi i tyre i fundit, Abu Saad Erhabi është vrarë nga sulmet ajrore amerikane përpara një jave, duke u bërë i katërti udhëheqës i Shtetit Islamik që vritet në Afganistan gjatë viteve të fundit.

Mijëra luftëtarë të huaj besohet se kanë mbërritur në Afganistan, pasi u dëbuan nga Iraku dhe Siria, por ministri Britanik i Mbrojtjes sugjeroi se grupi është më i konsoliduar se ç’mendohej më herët.

Nuk ka njoftime zyrtare që konfirmojnë se ka apo jo britanikë që i janë bashkuar radhëve të IS-Khorasanit në Afganistan, por ky grupim dihet se ka “një demografi të gjerë”.

Megjithëse fuqizimi i ISIS-it në Afganistan është i mirëdokumentar, kjo është hera e parë që qeveria ka konfirmuar kërcënimin direkt për sulme terroriste.

Lajmi mbi kërcënimin e ISIS në Afganistan përbën një zhvillim shqetësues dhe vjen në kohën kur 440 trupa britanike shtesë mbërritën në Afganistan në kuadër të një kërkese të bërë nga Uashingtoni për të përballuar kërcënimin dhe për të stabilizuar situatën në atë vend.

Exit mobile version