Telegrafi

ISIS merr përgjegjësinë për sulmin në kishë

Zyrtarët pakistanezë thonë se së paku shtatë vetë janë vrarë dhe afro 30 të tjerë janë plagosur nga sulmi vetëvrasës në një kishë në qytetin Kueta, në jugperëndim të Pakistanit.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik (ISIS), e ka marrë përgjegjësinë për sulmin e sotëm nëpërmjet agjencisë së lajmeve, Amaq.

Një zyrtar i lartë në provincën e Baloçistanit tha se sulmin e kishin kryer dy militantë.

Ky zyrtar tha se së pari njëri prej militantëve e aktivizoi jelekun vetëvrasës në trupin e tij në hyrje të kishës, ku ishin afro 400 meshkuj, femra dhe fëmijë, të cilit kishin ardhur për të marrë pjesë në meshën e së dielës, para festës së Krishtlindjeve.
Sulmuesi tjetër nuk arriti ta aktivizojë eksplozivin pasi u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë.

Të plagosurit janë dërguar në spitalet kryesore të qytetit Kueta.

Zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të Pakistanit, Mohammed Faisal, në një mesazh në rrjetin Twitter, ka shkruar se “vendosmëria e Pakistanit kundër terrorizmit nuk mund të zmbrapset nga këto akte qyqare”.

Të krishterët e përbëjnë 1.6% të popullatës prej 200 milionë banorëve, kryesisht myslimanë, të Pakistanit. /REL/