Të paktën 25 persona janë vrarë dhe dhjetëra tjera janë plagosur në dy sulme me bomba të militantëve të ISIS-it në Afganistan, ku gazetarët kishin vrapuar për ta mbuluar ngjarjen nga shpërthimi i parë, kur befasisht u goditën nga shpërthimi i dytë.
Fotografi i agjencisë së lajmeve AFP dhe pesë gazetarë lokalë janë në mesin e të vrarëve, pasi një militant i ISIS-it i maskuar si gazetar kishte kryer sulmin kamikaz në Kabul, transmeton Telegrafi.
Gazetarët po mbulonin ngjarjen e shpërthimit të parë kur befasisht u goditën nga shpërthimi i dytë kamikaz. Këto dy shpërthime kanë ndodhur në pjesën Shash Darak të qytetit, që njëherit është shtabi i ushtarëve të NATO-s dhe një numër ambasadash.
Lidhur me këto sulme organizata terroriste ISIS ka marrë përgjegjësinë, që la të vrarë 25 persona dhe 45 tjerë të plagosur. Pamjet nga vendi i ngjarjes shfaqin një grup gazetarësh të mbledhur, ku pas shpërthimit të dytë shihen shumë trupa të pajetë në rrugë.
Agjencia franceze e lajmeve AFP raporton se fotografi i tyre në Kabul, Shah Marai, është në mesin e të vrarëve.
AFP njofton se Marai ka humbur jetën në shpërthimin e dytë që kishte ndodhur, gjë që i kishte zënë në befasi të gjithë që ishin mbledhur për ta mbuluar ngjarjen e shpërthimit të parë. /Telegrafi/