Shteti Islamik ka kërcënuar me sulme në Arabinë Saudite pasi që grupi militant mori përgjegjësinë për sulme në Teheran, në të cilën humbën jetën 17 vetë, njoftoi të premten grupi i inteligjencës SITE për mbikëqyrje të ueb sajteve të militantëve.
Sulmuesit vetëvrasës dhe njerëz të armatosur sulmuan parlamentin iranian dhe mauzoleun e ajatollah Homeinit në Teheran të mërkurën. Një numër i madh njerëzish po ashtu ishin plagosur.
Shteti Islamik mori përgjegjësinë dhe kërcënoi me sulme të reja kundër popullsisë shumice shiite, të cilët militantët sunit radikal i konsiderojnë si heretik.
“Pas Iranit, do të vini ju në radhë. Me ndihmën e Allahut do t’ju sulmojmë në shtëpitë tuaja”, thuhet ndër të tjera në porosinë e luftëtarëve të ISIS-it drejtuar autoriteteve saudite përmes një video-xhirimi.
Shteti Islamik, i cili kontrollon territoret në Siri dhe Irak, ka kryer në të kaluarën sulme ndaj forcave të sigurisë saudite, si dhe sulme me armë zjarri dhe bomba ndaj shiitëve sauditë, transmeton Reuters.