Telegrafi

ISIS: 1.400 fëmijë të rrëmbyer jazidi janë stërvitur për kamikazë

Të paktën 1 400 fëmijëve irakianë të minoritetit jazidi, të rrëmbyer nga ISIS-i gjatë dy viteve të fundit u është bërë ”lavazh truri dhe janë stërvitur për t’u shndërruar në kamikazë”, njoftoi sot Hussein Kaedy, përgjegjës i qeverisë irakiane për këtë çështje, duke folur me gazetarët në dyvjetorin e marrjes nën kontroll të Sinjarit, qytet irakian me shumicë jazidi, nga ISIS-i.

”Në rajonin e Sinjarit, rimarrë nëntorin e kaluar nga milicia kurde peshmerga, 6 410 jazidë u morën peng nga ISIS-i. Nga këta, 2 640 u liruan falë mbështetjes së qeverisë së rajonit të Kurdistanit  dhe të një sërë personave zemërmirë”, shtoi ai.

”Të paktën 3 770 të tjerë mbetën nën kontrollin e ISIS-it. Kemi gjetur 33 varre të përbashkëta me jazidi. Shumë gra përfunduan në skllave seksi si edhe u shitën në disa lokalitete”, theksoi Kaedy.