Site icon Telegrafi

Ishulli prej 6 hektarësh me një plazh privat dhe “15 fantazma” është vendosur në shitje

Një ishull prej gjashtë hektarësh në brigjet e Devon – i kompletuar me plazh privat, fortifikime dhe leje planifikimi për një hotel luksoz – është vënë në shitje.

Ishulli Drake, vetëm 600 metra larg Plymouth të Anglisë, është përdorur si një mbrojtje ushtarake për qindra vjet – me topat e shekullit të 18-të ende në pozicion dhe të përfshirë në shitje.

Bëhet e ditur se në Drake ndodhen kazerma të vjetra të kompletuara me predha dhe depo baruti nëntokësore, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

“Ai ka mbi 2000 vjet histori – ndërtesa e parë e regjistruar është në vitin 1135”, tha pronari aktual, Morgan Phillips.

Phillips e bleu ishullin në vitin 2019 për 6 milionë paund dhe ka punuar për të siguruar pëlqimin për ndërtimin e një hoteli.

“Plymouth po përpiqet të bëhet një destinacion turistik – është një rrugë e gjatë. Ajo që ne me të vërtetë kemi nevojë është që ishulli të çohet përpara dhe dikush që ka buxhetin që të jetë në gjendje ta bëjë këtë”, shpjegoi ai.

Siç raportohet, ishulli është emëruar pas Francis Drake – i cili u nis nga ishulli për të përshkuar globin në vitin 1577.

Nuk ka asnjë çmim fiks udhëzues, por kostot e rinovimit vlerësohen në rreth 25 milion paund.

“Megjithatë, çdo pronar i ri mund të mos jetë i vetëm, me 15 fantazma rezidente, të gjithë ish-ushtarakë”. /Telegrafi/

Exit mobile version