Një sasi e madhe shiu sot përmbyti rrugët dhe sheshet e ishullit Hvar të Kroacisë duke shkaktuar rrëshqitje dheu dhe përmbyti disa ndërtesa.
Sipas mediave kroate, përcjell Telegrafi, për vetëm një orë, në qytetin Hvar kanë rënë 90 litra shi për metër katror dhe në 24 orët e fundit mbi 120 litra, që është më shumë se sasia mesatare e reshjeve që bien në nëntor.
“Ne kemi shumë probleme me ujërat e shiut, garazhet tona janë ‘duke notuar’, gjithçka është plot me ujë. Ne mundohemi të largojmë ujin pa pushim dhe shiu nuk ndalet. Problemi është se telefonat janë të prishur, për këtë kemi njoftuar edhe policinë”, ka thënë komandanti i Hvarit, Nikolla Shkare.
Përveç reshjeve të dendura, problem në Hvar është edhe stuhia e fortë, e cila shkaktoi shumë dëmtime elektronike.
Ndërkohë bëhet e ditur se rrufetë shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale pasi u dogjën pajisje të shumta elektronike dhe një pjesë e zonës mbeti pa telefona.
“Ishte e tmerrshme. Rrufeja binte çdo disa sekonda. Nuk më kujtohet një stuhi si kjo për një kohë të gjatë në Hvar. Një goditje rrufe ishte jashtëzakonisht e fortë, sikur të kishte ndodhur një tërmet. Menjëherë pas kësaj pashë tym nga çatia e një fqinji , dhe e dija që fatkeqësisht ka goditur një rrufe në shtëpinë e tij. Për fat të mirë zjarrfikësit kanë mbërritur në kohë rekord”, citohet të ketë thënë banori i Hvarit. /Telegrafi/