Telegrafi

Ishte i pastrehë, shiti marihuanë në vlerë prej 20 dollarëve dhe u dënua me burgim të përjetshëm – pas 12 vite burgim lirohet

Fate Winslow që ishte dënuar me burgim të përjetshëm për shitjen e një qese të vogël me marihuanë, është liruar pas 12 viteve që i kaloi në burg, shkruan CNN.

Atij në vitin 2008 i ishte ofruar një polic në Louisiana i veshur me rroba civile, duke e pyetur nëse mund t’i sigurojë marihuanë, transmeton Telegrafi.

Fate i cili asokohe ishte i pastrehë, nga miqtë kishte huazuar një biçikletë dhe ishte kthyer 10 minuta më vonë me dy qese të vogla me marihuanë që kapnin vlerën e 20 dollarëve.

Ky edhe ishte momenti kur policia e arrestoi, e ai tashmë kishte edhe tri vepra tjera penale që rëndonin mbi të dhe pikërisht për këtë u dënua me burgim të përjetshëm.

Megjithatë avokatët e tij pas 12 viteve kanë arritur ta kthejnë në rigjykim dhe të zbutet masa e dënimit dhe sot është liruar.

“Kishte marrë një dënim tejet të rëndë. Në Louisiana ka qindra persona që vuajnë dënimin e përjetshëm për krime të ndryshme”, ka thënë G Park, avokatja e Fate dhe njëherit drejtoresha e organizatë IPNO (Innocence Project New Orelans).

“Nëse e kemi dënuar Winslowin me burgim të përjetshëm vetëm pse kemi mundur, kjo nuk do të thotë se ka qenë një veprim i drejtë dhe human. Ka marrë një dënim tejet të rëndë duke marrë parasysh në rrethanat dhe veprën penale”, ka shtuar Park. /Telegrafi/