Site icon Telegrafi

A ishte një gabim shpenzimi i 402 milionë eurove për Neymar dhe Mbappe? Drejtori aktual i PSG-së vë në pikëpyetje blerjet rekorde të klubit

Neymar e ka nisur sezonin duke qenë lojtari më vendimtar i PSG –së, pasi braziliani ka shënuar tetë gola dhe ka dhënë shtatë asistime në kampionat deri më tani këtë sezon, ndërsa ka shtuar edhe një gol dhe një asistim në Ligën e Kampionëve.

Nga ana e tij, Mbappe ka shënuar shtatë gola në kampionat dhe tre në garat evropiane. Pas kësaj nisme, krahasimet mes të dyjave janë në rend të ditës nga mediat.

Pavarësisht se të dy lojtarët funksionojnë në fushë, drejtori sportiv i PSG-së, Luis Campos ka pranuar se klubi ka bërë gabim kur ka nënshkruar me Neymar dhe Kylian Mbappe në të njëjtin afat kalimtar.

Kampionët e Ligue 1 kanë investuar shumë në dyshen, me Neymar që kushtoi një tarifë rekord botëror prej 222 milionë euro në vitin 2017, i ndjekur nga ardhja e Mbappe në kryeqytetin francez, fillimisht në huazim përpara transferimit të tij të përhershëm për 180 milionë euro nga Monaco. Dyshja së bashku kushtuan 402 milionë euro.

Luis Campos ka folur për nënshkrimin e të dy lojtarëve, duke thënë se mund të mos ketë qenë vendimi i duhur për klubin.

“Ne bëmë gabim në të kaluarën duke rekrutuar dy lojtarë në të njëjtin pozicion”.

“Afati i transferimeve nuk është i mirë sepse na mungojnë lojtarët në pozicionet kyçe dhe kemi shumë lojtarë në pozicione të tjera”, deklaroi Campos.

Është e vërtetë që shpenzimet e mëdha për dy yjet nuk i kanë shërbyer klubit për të arritur fitoren e shumëpritur në Ligën e Kampionëve, pasi më e afërta për ta fituar ishte humbja ndaj Bayern Munichut në finalen e 2020-tës.

Pavarësisht kësaj, të dy kanë pasur sukses individual. Neymar ka shënuar 111 gola në 155 ndeshje dhe ka fituar katër tituj të kampionit me skuadrën parisiene. Nga ana e tij, Mbappe ka shënuar 181 gola në 226 paraqitje, duke pasur të njëjtin numër titujsh në kampionat sikurse braziliani. /Telegrafi/

Exit mobile version