Telegrafi

A ishte në dijeni Isa Mustafa për murin në Veri?

Muri i ndërtuar në cep të urës mbi lumin Ibër në pjesën e veriut në Mitrovicë është një nga problemet madhore me të cilat do të përballet Qeveria e Kosovës në vitin 2017.

Sipas analistit Petrit Zogaj, fajet kryekëput për ndërtimin e këtij muri i ka vet kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe kryenegociatorja e vendit në Bruksel, Edita Tahiri.

Zogaj ka thënë se do të ishte diçka hipokrite nga Mustafa nëse e ka dialoguar Murin në Bruksel e tash e kundërshton si të paligjshëm.

“Përgjegjësinë kryesore e kanë Isa Mustafa dhe Edita Tahiri. Nëse janë marrë vesh që të ndërtohet një lloj parku me një vijë ndarëse në formë të një muri. Këtu ka njëfarë lloj hipokrizie të thellë të Qeverisë Mustafa. Këta shkruajnë marrëveshje pa racionalitet”, tha Zogaj në Zona B në Klan Kosova, ku është diskutuar për këtë çështje të rëndësisë nacionale.

Ndërsa, gazetari dhe panelisti i Zonës B, Ilir Mirena, ka thënë se me tërë këto probleme dhe sfida që e presin Kosovën në vitin 2017, zgjidhja më e mirë do të ishte që të shkohet në zgjedhje qysh në fillim të vitit tjetër.

“Kish qenë mirë që të hymë në zgjedhje. Dhe ato zgjedhje do ta rilegjitimoni dikë për tu marrë me problemet që na ka futur Qeveria Mustafa”.

Sipas Mirenës, “Marrëveshja për Demarkacionin dhe Asociacioni na kanë sjellur në një periudhë të vështirë”.

Dy panelistët kanë diskutuar edhe për çështjet të tjera të rëndësishme që e persin Kosovën në vitin e ardhshëm, por edhe për problemet e tanishme, siç është miratimi i buxhetit, i cili ende nuk ka ndodhur.