Site icon Telegrafi

Ishte ndër supermodelet e para, fundi i trishtuar i një vajze me bukuri të jashtëzakonshme – varësia nga droga, infeksioni me HIV dhe vdekja e Gia Carangi

(Foto: Instagram/gia.carangi)

Gia Carangi ishte një modele e njohur amerikane gjatë viteve të shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta. Shumëkush e konsideron atë si supermodelen e parë, megjithëse ky titull i është atribuuar Janice Dickinson dhe Dorian Leigh.

Ajo lindi në vitin 1960 në Filadelfia, ndërsa ishte me origjinë italiane, bukuria e saj pasqyronte edhe gjenet irlandeze dhe uellsiane. Kur u transferua nga Filadelfia në New York në vitin 1977, iu desh më pak se një vit për të qenë modelja më e kërkuar.

Ishte në kërkim të vazhdueshëm dhe të gjithë donin ta punësonin atë. Asokohe zbukuroi kopertinat e shumë revistave të modës, përfshirë Vogue, si dhe revistën Cosmopolitan, ku u shfaq në ballinë dy herë në të njëjtin vit. Njëherësh punoi me fotografët e famshëm, si Chris von Wangenheim e Francesco Scavullo.

(Foto: Instagram/gia.carangi)

Fama i solli asaj statusin e një personi shumë të njohur, por edhe probleme të shumta. Ajo u bë  mysafire e rregullt në klubin e popullarizuar të natës, “Studio 54” dhe filloi të përdorë drogë – marihuanë, kokainë dhe heroinë.

Orientimi i saj seksual vihej shpesh në dyshim. Ndërsa disa pohuan se ishte ekskluzivisht homoseksuale, të tjerët thanë se ishte biseksuale.

(Foto: Instagram/gia.carangi)

Një gjë është e sigurt, ajo ishte në një lidhje me një studente të caktuar, Elisa Golden. Gjithashtu, ka histori se në një xhirim kishte takuar një estetiste me të cilën ra në dashuri.

U fol shumë për dashurinë e saj agresive dhe posesive, por ata që e njihnin thanë se “taktikat e saj të dashurisë nuk ishin agresive dhe grabitqare, por më naive”.

(Foto: Instagram/gia.carangi)

Gjithashtu, varësia e saj nuk ishte sekret, por u tolerua për një kohë. Sidoqoftë, Gia tejkaloi kufijtë e asaj që ishte e pranueshme – sjellja e saj, gjurmët e shpimit të gjilpërës dhe plagët në duar në vendet ku injektonte vazhdimisht heroinë nuk ishin të pranueshme.

Ajo u përpoq disa herë të përballej me problemin e varësisë nga droga, por nuk ia doli. Gjatë dimrit të vitit 1985, filloi të dyshonte se kishte HIV. Kjo u konfirmua për disa muaj, dhe supozohet se u infektua me virusin HIV përmes një gjilpëre me të cilën mori heroinë.

(Foto: Instagram/gia.carangi)

Nëna e saj nuk lejoi vizita dhe i qëndroi pranë deri në vdekjen e Gias më 18 nëntor të vitit 1986. Askush nuk mori vesh për vdekjen e saj, kështu që askush nuk u paraqit në funeral. Lajmi u mësua vetëm pas disa javësh duke shkaktuar tronditje.

Shumë besojnë se bukuria e saj ishte në të vërtetë një mallkim dhe filmi “Gia” u bë për jetën e saj në 1998, ndërsa rolin kryesor e luajti Angelina Jolie. /Telegrafi/

Exit mobile version