Telegrafi

Ishte i motivuar me fitoren ndaj Barcelonës, por Real Madridi pëson humbje ndaj Betisit

Real Betisi e ka mposhtur 2-1 Real Madridin në kuadër të javës së 27-të në La Liga.

Vendasit e dominuan pjesën e parë për nga numri i rasteve për gol, derisa arritën të kalonin në epërsi me golin e shënuar nga Sidnei në minutën e 40-të me një asistim të Nabil Fekir.

Por, para se të përfundonte pjesa e parë, Karim Benzema (45+3’) i barazoi shifrat në 1-1 me duke shënuar nga penalltia.

Betis vs Real Madrid (Foto: Fran Santiago/Getty Images/Guliver)

Në pjesën e dytë, Los Blancos ishin disi të çorientuar dhe nuk arritën të kontrollonin takimin, për ta pësuar më pas edhe golin e dytë.

Ishte minuta e 82-të kur Cristian Tello riktheu epërsinë e skuadrës së tij, që doli të ishte edhe goli i tri pikëve për skuadrën e tij.

Betis vs Real Madrid (Foto: Fran Santiago/Getty Images/Guliver)

Pas javës së 27-të,  Real Madridi ka rënë në pozitën e dytë me 56 pikë, dy më pak se Bracelona, gjersa në javën e 28-të do të takohen me Eibarin. /Telegrafi/