Site icon Telegrafi

Ishte ministër i Mbrojtjes i talebanëve, i burgosur në Guantanamo – rikthimi i Mullah Mohammad Fazal në Kabul

Rënia e qeverisë në Kabul gjatë të dielës është pritur me gëzim edhe nga Mullah Mohammad Fazal, ish-ministri i Mbrojtjes në Afganistan në kohën e qeverisjes së parë të talebanëve, komandant i shtabit të përgjithshëm i ushtrisë afgane, i burgosur i arsimuar në Guantanmo, kryenegociator i islamistëve, që sërish është kthyer në këtë shtet pas rënies dhe debaklit të pësuar të dielën.

Siç jemi mësuar t’i shohim talebanët, edhe ky nuk e ka ndërruar shprehinë për tu rikthyer në vendin ku gjithçka filloi – u shfaq në Kandahar, vendi i vjetër që sipas tij ia vlenë të rifillojë objektivat e tij – pasi që shumë mendojnë se atje janë “formuar” talebanët – edhe pse janë “formuar” diku tjetër, ata u nisën nga Kandahari për arsye sentimentale, transmeton Telegrafi.

Mullah Fazal është më prejardhje Pashtun, ka lindur në Afganistan në vitin 1967-1968, pasi që askush me siguri të plotë nuk e di datën e saktë. Besohet se si adoleshent është kyçur në xhihad kundër ushtrisë sovjetike. Karrierën e tij të hershme luftarake e përfundoi më 29 dhjetor të vitit 2001, kur përfundoi në burgun e Guantanamos – ku i kaloi nëntë vite e 11 muaj prapa grilave.

Autoritetet afgane e akuzonin për krime të rënda gjatë luftës kundër myslimanëve shiit gjatë periudhës 1996-2001. WikiLeaks pati shkruar se Fazal ishte ai që para arrestimit kishte organizuar rebelimet nëpër burgje në nëntor të vitit 2001, kur edhe u vra një pjesëtar i CIA-s, John Michael Span – amerikani i parë që humbi jetën në luftën e Afganistanit.

Megjithatë, deri më tani nuk ka dëshmi që Fazal kishte marrë pjesë drejtpërdrejtë në vrasjen e pjesëtarit të CIA-s. Në dokumentet e deklasifikuara të Departamentit amerikan të Shtetit, thuhet që Fazal ka qenë figura kyçe në marrjen e Kabulit gjatë vitit 1996 nga ana e talebanëve.

Në vitin 19999, ka qenë një prej komandantëve më të respektuar në terren gjatë ofensivës që udhëhoqi talebanët drejt rrugës së vjetër deri në Mirbache Kot, që sot lidh Kabulin me Bagramin. Mbi të rëndon akuza edhe për ekzekutimin e tetë diplomatëve iranianë në qytetin Mazar Sharif në veri të Afganistanit. Fazal gjithashtu ka pasur edhe një funksion tjetër – ka qenë oficer për lidhjet me Al Qaedan në këtë rajon. Gjithashtu ka qenë përgjegjës për rajonin strategjik Kunduz që ka “lidhje nëntokësore” me Azinë Qendrore.

Kështu zyrtarët më të lartë talebanë patën vendosur që Mohammad Fazal të jetë i emëruar si kryenegociator. Arsyet që çuan deri te ndërrimi i Mullah Abbas Stanikzi mbeten të panjohura. E për dallim nga komandantët e tjerë talebanë, ai kurrë nuk ka ushtruar ndonjë funksion civil.

Ekzistojnë dëshmi të dokumentuara nga projekti për drejtësi në Afganistan – që ai ka pasur përgjegjësi komanduese për dy shkelje të rënda të ligjeve në konflikte të armatosura. /Telegrafi/

 

Exit mobile version