Portieri Samir Ujkani ka bërë ndoshta paraqitjen e tij më të mirë me fanellën e Përfaqësueses së Kosovës.
Kosova e mposhti Burkina Fason mbrëmë (e enjte) me rezultat të thellë 5-0 në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.
Golat në këtë fitore të Dardanëve u shënuan nga Fidan Aliti (3’), Astrit Selmani (23’), Mërgim Vojvoda (52’), Milot Rashica (68’) dhe Toni Domgjoni (74’).
Megjithatë, njëri nga më të mirët në fushën e lojës për ekipin e Alain Giresse, ishte padyshim portieri veteran, Samir Ujkani.
Ujkani viteve të fundit ka humbur vendin e titullarit, pasi zgjedhje e parë tashmë duket Arijanet Muric, por vushtrriasi ka bërë një super-paraqitje ndaj Burkina Faso.
Portieri i Empolit arriti t’i bëjë plot pesë pritje, njëra nga to nga penalltia, në 20 tentime të Burkina Fasos, duke mbajtur kështu portën e paprekur, shkruan Telegrafi.
Numri 1 i Kosovës pritjen e parë e bëri në minutën e 24-të, pastaj një minutë më vonë ndali një goditje nga jashtë zona dhe në minutën e 27-të po ashtu një goditje të fortë nga distanca.
Edhe në pjesën e dytë, portieri 33-vjeçar i Dardanëve bëri paraqitje bravuroze, duke bërë dy pritje të mëdha, ku njëra erdhi duke ndalur penalltinë e mysafirëve.
Pritja e penalltisë ishte pikërisht e para, ku Ujkani me përvojën e tij arriti ta ndal goditjen e kapitenit të Burkina Fasos, Edmond Tapsoba, i cili luan me Bayer Leverkusenin dhe vlerësohet plot 40 milionë euro.
Në minutën e 88-të, Ujkani tregoi edhe një herë vlerat e tij duke ndalur një goditje të fortë nga brenda zonës për ta dërguar Kosovën drejt një fitoreje me portë të paprekur.
Ndryshe, më 2 mars të vitit 2014, Ujkani mori një thirrje nga Kosova për ndeshjen e parë të lejuar nga FIFA kundër Haitit dhe bëri debutimin e tij si titullar.
Që nga ajo kohë, portieri vushtrrias ka ruajtur portën në 32 ndeshje me Kosovën, nga to 29 ndeshje zyrtare, dhe në plot 11 takime ka mbajtur portën e paprekur. /Telegrafi/