Bosnja dhe Hercegovina ka bllokuar ardhjen e diplomatit rus Vladislav Filipov, i cili prej vitesh spiunonte për Rusinë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, nga ku u dëbua përfundimisht.
Kështu shkruan mediumi boshnjak “Dnevni Avaz” duke thënë se një lajm i tillë është konfirmuar nga disa burime të besueshme, përcjell Telegrafi.
Sipas informacioneve të mediumit në fjalë, Rusia hoqi dorë nga emërimi i Filipovit si atashe ushtarak, pasi BeH e bëri shumë të qartë se një oficer i zbulimit rus sipas gradës së kolonelit nuk ishte i mirëpritur.
Siç shkruan “Dnevni Avaz” rolin kryesor në reagimin e autoriteteve të BeH, që mund të shihet në kontekstin e një reagimi më të gjerë ndaj veprimeve destabilizuese të Rusisë në rajon, siç theksohet vazhdimisht nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, u luajt nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë dhe Ministria e Sigurisë e BeH. /Telegrafi/