Site icon Telegrafi

Ishte braktisur në udhëkryqin Arllat-Llapushnik në vitin 2000, 24-vjeçarja kërkon të gjejë prindërit e saj biologjikë

Një vajzë 24-vjeçare, e cila u gjet nga policia në udhëkryqin Arllat-Llapushnik para 24 vitesh, po kërkon prindërit e saj biologjikë. Sot, ajo është takuar me kryetarin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili i ka premtuar mbështetje në përpjekjet e saj për të gjetur familjen e vërtetë.

“Jeta ndërton ngjarje me emocione, ndër to është edhe jeta e vajzës që po kërkon prindërit e saj biologjikë pas 24 viteve. Unë i premtova vajzës se do ta përkrah në këtë iniciativë dhe bëj thirrje që kushdo që ka informacion, të na ndihmojë,” ka deklaruar Lladrovci.

Vajza, e cila sot është e arsimuar dhe jeton e punon në Gjermani, shpreh mirënjohje të thellë dhe falënderime për familjen në Mitrovicë që e ka adoptuar nga SOS Kinderdorf më 2001. Ajo kërkon ndihmë për të gjetur prindërit e saj biologjikë dhe ka bërë thirrje për informacion lidhur me lindjet nga data 5 korrik 2000 deri më 10 korrik 2000.

Sipas dosjes së Policisë së vitit 2000, vajza u gjet nga një patrullë policore e UNMIK-ut më 10 korrik 2000 në ora 21:40, në udhëkryqin Arllat-Llapushnik, pranë stacionit të atëhershëm të autobusëve. Në të dhënat e Spitalit të Prishtinës, shkruan se ajo ishte një foshnjë e lindur rreth tre ditë më parë në një spital të papërcaktuar.

Vajza kërkon ndihmë për informacionet e lindjeve dhe të dhënat e Spitalit të Prishtinës gjatë periudhës kur ajo qëndroi aty, nga 10 korriku 2000 deri më 15 mars 2001.

Ajo është krenare për familjen në Mitrovicë që e ka përkujdesur me dashuri prindërore dhe familjare, duke e arsimuar dhe edukuar me përkushtim.

Kushdo që ka informacion lidhur me këtë rast, mund të kontaktojë në emailin e vajzës, i hapur enkas për rastin: kontakt-drenasi@outlook.com, ose në numrin e telefonit: +383 48 600 987.

Exit mobile version