Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik, vetëm një hotel përgjatë bregut të Strugës në fshatin Radozhdë është i lidhur me sistemin e kolektorit.
Sipas këtij raporti, në kolektor nuk janë lidhur objektet e hotelerisë, e as vendbanimet turistike nga fshati Peshtan deri në Shën Naum. Kontrolli i fundit i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit tregon se vetëm shtatë hotele në Ohër-Strugë janë të lidhura me rrjetin e kanalizimeve.
“Shtëpitë private përgjatë gjithë bregut si dhe vendbanimet rurale: Tërpejcë, Lubanishtë dhe Rodozhdë përdorin gropa septike për ujërat e zeza, zbrazja e të cilave në vende bëhet nga shërbimi komunal publik. Në fshatin Rodozhdë, gropat septike nga shtëpitë ose zbrazen direkt në liqen, ose pasi ndodhen shumë afër bregun, ujërat përfundojnë në liqen dhe janë ndotës të drejtpërdrejtë të tij”, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik.
Ndërmarrja Publike “Sistemi i Kolektorëve” thotë se situata më e keqe është në bregun e Strugës.
“Po, sistemi ynë i kolektorëve fillon nga Elen Kamen, dhe pjesa nga Elen Kamen deri në Rodozhdë ku është kampi Livadhi, i cili ka stacionin e tij të veçantë të filtrimit. Për fat të keq, objektet e tjera që janë atje për momentin kanë gropa septike dhe i përdorin ato për ujërat e zeza që lëshojnë nga ndërtesat”, deklaroi Vlladimir Aleksioski – Drejtor i NP Sistemi i kolektorëve.
Probleme ka edhe me baret e ngritura në plazhe. Të gjithë janë ndotës të mundshëm të liqenit. Ekspertët thonë se nevojitet një rehabilitim i plotë i sistemit të kolektorëve.
“Dhe baza për të gjithë këtë duhet të jetë studimi i rehabilitimit që është bërë së bashku me “Xhajkan” japoneze në vitin 2015. Atje gjithçka është përshkruar dhe nuk duhet të zbulojmë asgjë të re. Të gjitha problemet janë përshkruar. Unë shoh se disa po zgjidhin, por është shumë pak, prandaj duhet ta vendosim atë studim në tryezë, të kërkojmë mbështetje politike dhe të kërkojmë mbështetje financiare nga donatorët e mundshëm”, tha Dejan Panoski, Ekspert për ujëra.
Analizat tregojnë se situata më e keqe është në shkarkimin e Lumit Drini i Zi, vetëm 20 metra nga stacioni filtrues, ku uji sipas vetive fiziko- kimike është i kategorisë 4, ndërsa sipas analizave mikrobiologjike është i kategorisë së pestë. Por duke qenë se bëhet fjalë për liqen me një numër të konsiderueshëm burimesh, me rrjedhje të vazhdueshme uji, cilësia e ujit të liqenit është e kategorisë së parë dhe të dytë. /Alsat.mk