Site icon Telegrafi

ISHP: Shkupi, Manastiri dhe Kumanova me numrin më të madh të rasteve të gripit

Sipas të dhënave të Institutit për Shëndet Publik, në javën e nëntë të vitit 2025 janë regjistruar 2.569 raste të reja me grip, që është një rënie prej 15,4 për qind në krahasim me javën paraprake. Megjithatë, numri i rasteve është katërfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe me 38.4 për qind krahasuar me 14 sezonet e fundit. Më së shumti raste janë regjistruar në Shkup dhe 1465 persona janë të moshës nga 15 deri në 64 vjeç.

Drejtoresha e Institutit, Marija Andonovska, theksoi se numri më i madh i rasteve është regjistruar në Shkup – 515, Manastir – 236 dhe Kumanovë – 203, Strumicë 166, Gostivar 141, Tetovë 137, Shtip 137, Veles 135, Shën Nikollë 120, në qytetet e mbetura numri është nën 100.

Shpërndarja sipas moshës tregon se më të prekurit janë nga mosha 15 deri në 64 vjeç – 1465 raste.

“Sa i përket shpërndarjes sipas moshës, 1.465 persona janë të moshës 15 deri në 64 vjeç, 550 nga fëmijët e moshës 5 deri në 14 vjeç, 297 raste të raportuara te fëmijët nga mosha 0 deri në 4 vjeç dhe 257 te personat mbi 65 vjeç”, tha Andonovska.

Ajo shtoi se gjatë kësaj jave, në tre njësi raportuese (Dibër, Kratovë dhe Shën Nikollë) është regjistruar aktivitet shumë i lartë i virusit.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve me grip këtë sezon është 19.944, me një rritje prej 49 për qind krahasuar me sezonin e kaluar. Janë regjistruar katër vdekje, e fundit nga të cilat është një grua mbi 65 vjeç me sëmundje shoqëruese.

Rekomandimet e ISHP-së mbeten të njëjta, për të ndjekur masat parandaluese dhe izoluese.

“Rekomandimet e ISHP-së janë të njëjtat të respektohen të gjitha rekomandimet për parandalimin e gripit dhe natyrisht, ata që tashmë janë diagnostikuar me grip duhet të qëndrojnë në shtëpi, në shtëpitë e tyre, të izolohen sa më shumë dhe të shmangin kontaktet me të afërmit e tyre, veçanërisht nëse në familje ka njerëz që kanë fëmijë të vegjël. Dhe të respektohen të gjitha rekomandimet e Institutit dhe të gjitha institucioneve kompetente”, thotë ajo.

Exit mobile version