Janë shpallur fajtorë katër zyrtarë të profilit të lartë për posedimin e 400 kilogramëve kokainë, që ishin gjendur brenda ambienteve të Ambasadës së Rusisë në Argjentinë.
Një juri në gjykatën e qarkut Dorogomilov në Moskë dënoi kreun e grupit, Andrei Kovalchuk, ish-shefin e Departamentit të Mirëmbajtjes në Ambasadën ruse, Ali Abyanov dhe biznesmenët Vladimir Kalmykov dhe Ishtimir Khudzhamov për blerjen dhe ruajtjen e kokainës në shkollën e Ambasadës në Buenos Aires, që ata planifikonin ta shisnin në Evropë.
Zyrtarët e dënuar përballen me deri në 25 vjet burg secili. Në shkurt 2018, ministrja argjentinase e Sigurisë, Patricia Bullrich pati thënë se 389 kilogramë kokainë u patën sekuestruar në vitin 2016.
Rasti u zbulua gjatë operacionit të njohur si “12 mbretëreshat”, dy vjet pas zbulimit të kokainës në valixhe brenda Ambasadës ruse.
Sasia në total e kokainës ishte 389 kilogramë e shpërndarë në 12 çanta diplomatike, me vlerë 50 milionë euro.
“Kokaina ishte zëvendësuar me miell ku është transportuar në Rusi, ku dy persona u arrestuan kur erdhën për ta marrë atë”, ka thënë Bullrich.
Organizatori, i identifikuar më vonë, Kovalchuk, një ish-punëtor teknik në Ambasadën ruse në Argjentinë, kërkohej me anë të një urdhër-arresti ndërkombëtar, por më vonë kishte jetuar në Gjermani.
Gjermania e ekstradoi atë në Rusi në korrik të 2018-së. Një muaj më vonë, Bullrich ishte shprehur se kokaina e konfiskuar është djegur në një krematorium në Buenos Aires. /Telegrafi/