Dy operativë të lartë të ISIS-K që supozohet se “komplotuan” masakrën e aeroportit të Kabulit u vranë në një sulm me dron amerikan ndërsa hipnin në një “makinë me tri rrota”, të njohur edhe si tuk-tuk.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, terroristët vdiqën menjëherë – dhe një bashkëpunëtor u plagos – në sulmin hakmarrës në qytetin e largët të Jalalabad në provincën Nangarhar pranë kufirit me Pakistanin, tha ushtria amerikane mbrëmë.
Burrat, të cilët u përshkruan si “planifikues”, kuptohet se ishin ulur në pjesën e prapme të makinës në lëvizje kur u qëlluan nga një goditje raketore nga një dron MQ-9 Reaper.
Shefat e mbrojtjes në Pentagon refuzuan të japin emrat e terroristëve të vdekur, por mendohet se ata po planifikonin më shumë sulme në aeroport, ku më shumë se 170 vdiqën në një shpërthim bombë vetëvrasës të enjten.
Sulmi në aeroport u orkestrua nga udhëheqja e Shtetit Islamik në Provincën Khorasan (ISIS-K), e cila është dega në Azinë Jugore e grupit terrorist të Shtetit Islamik që shpalli një kalifat në Siri në qershor të vitit 2014.
Sipas ekspertëve të terrorizmit, ISIS-K është shumë më brutal se IS-i në Siri ose në ndonjë prej filialeve të tij.
Ajo degë ka në shënjestër maternitetet, shkollat dhe grupet e pakicave të prekshme në Afganistan, duke vrarë mijëra njerëz që kur u themelua në vitin 2015.
Fotografitë e makinës së djegur janë shfaqur në mediat sociale me një krater pranë rreth 4 metra të thellë.
“Ishte një mision i vetëm për të arritur këto objektiva. Ata ishin planifikues dhe mbështetës të ISIS-K dhe kjo është arsye e mjaftueshme. Unë nuk do të flas me detajet e këtyre individëve dhe cilët mund të jenë rolet e tyre specifike”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
Banorët në Jalalabad thanë se dëgjuan të paktën tre goditje të forta mesnatën e së shtunës.
Sulmi me dron u urdhërua pasi presidenti Joe Biden tha se do të kishte një përgjigje të shpejtë ndaj sulmit në aeroport, i cili la 13 ushtarë amerikanë mes të vdekurve.
Ndërkohë këshilltarët e Presidentit për sigurinë kombëtare e paralajmëruan atë mbrëmë se mund të ketë sulme të mëtejshme në aeroportin e Kabulit, ndërsa SHBA -të mbyllin programin e tyre të evakuimit përpara afatit të së martës. /Telegrafi/