Telegrafi

Ish-zyrtarja e OSBE-së: Kemi marrë informata nga civilët se UÇK-ja ndalonte persona

Ish-zyrtarja e OSBE-së në Kosovë, Sandra Mitchell, e cila po dëshmon në Gjykatën Speciale në Hagë ka thënë se kishin marrë informata nga popullsia civile në Kosovë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ndalonte persona.

Dëshmitarja Mitchell ka deklaruar se sa i përket funksionit policor që bënte UÇK-ja, ata arrestonin kriminelë dhe persona të cilët i konsideronin si kolaboracionistë.

“Po, sidomos në ato zona ku ishte operacionale UÇK-ja dhe kishte një perimetër. Që do të thotë e kishin siguruar tokën dhe territorin si dhe duhet të kalojë përmes pikave të kontrollit për të hyrë në këtë territor, ne e quanim zona ku nuk penetronin dot forcat serbe, kështu e njihnim ne përveç kur bënin sulme të drejtpërdrejta”.

“Këto ishin zona të siguruara nga UÇK-ja dhe ata kryenin punën e policimit në këto zona, përpiqeshin të krijonin një gjysmë shërbimi qeveritar. Sa takon punës së policisë që bënin ata, ata arrestonin kriminelët, por edhe arrestonin personat që i konsideronin si kolaboracionistë”, është shprehur ajo.

Kështu është shprehur ajo pasi përfaqësuesja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, prokurorja Deborah Mayer e pyeti se a ka marrë informata apo raporte nga vetë banorët lidhur me persona të ndaluar nga UÇK-ja. /Telegrafi/