Site icon Telegrafi

Ish-zëvendësministri “vodhi” veturën e shtetit për katër muaj

Mbi 3 mijë e 700 euro ka shpenzuar një zëvendësministër i Qeverisë së Kosovës vetëm në karburante, brenda një periudhe katër mujore. Për më keq, Zyra e Auditorit ka gjetur se zëvendësministri kishte bërë këtë shpenzim pas përfundimit të mandatit të tij dhe se nuk kishte pranuar ta kthente veturën e shtetit për katër muaj rresht.

Një zëvendës ministër i Ministrisë së Infrastrukturës, i cili ka përfunduar mandatin në dhjetor të vitit 2014, ka vazhduar të vozisë veturën zyrtare edhe për katër muaj të tjerë. Në vend se ta kthente në ministri, ai ka harxhuar mijëra euro të shtetit në karburante duke e vozitur veturën pa qenë i autorizuar.

Kjo është gjetja e raportit të Zyrës së Auditorit bërë Minsitrisë së Infrastrukturës për vitin 2015. Por auditorët nuk e kanë zbuluar identitetin e këtij zëvendësministri, raporton Insajderi.

Kanë treguar vetëm targat e veturës.

“Vetura zyrtare 3Z-009-08 në mandatin e kaluar qeverisës ka qenë në shfrytëzim nga zëvendës ministri. Kjo veturë është dashur të kthehet në ministri me rastin e përfundimit të mandatit në dhjetor 2014. Sipas zyrtarit përgjegjës në ministri, vetura është rikthyer në muajin prill 2015”, thuhet në raport.

E kostoja e shpenzimeve të kësaj veture të përdorur nga zëvendës ministri i paidentifikuar në raportin e auditimit, kap shifrën prej mijëra eurove.

“Ne kemi testuar faturat për karburante dhe kemi identifikuar se për muajt dhjetor 2014, janar, shkurt dhe mars 2015 kanë ndodhur shpenzimet në mënyrë jo të rregullt. Vlera totale e furnizimit për këtë periudhë është 3,745€”, thuhet në raportin e auditorëve.

Sipas auditorëve, mungesa e kontrollit dhe marrjes se masave adekuate për shfrytëzimin e pasurisë ka ndikuar në shpenzime të parregullta, bazuar në këtë, potencialisht mund të ketë edhe shpenzime tjera të ngjashme në të ardhmen.

ZAP ka rekomanduar ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharkun, që të siguroj që shfrytëzimi i pasurisë është në kuadrin e aktiviteteve të ministrisë, me qëllim të shmangies së saj apo edhe të krijimit të shpenzimeve të pakontrolluara dhe që nuk rrjedhin nga aktivitetet operative të Ministrisë.

Exit mobile version