Telegrafi

Ish-zëvendësministri Sadiku tregon për komunikimin që pati me Lutfi Hazirin lidhur me gjendjen shëndetësore të Agon Musliut

Infektologu dhe ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku është duke raportuar për rastin e Agon Musliut në Komisionin hetimor parlamentar për menaxhimin e pandemisë, i cili kishte gjetur vdekjen pasi ishte hedhur nga kati i 4-të i Qendrës Studentore që shërbente si karantinë.

Sadiku ka treguar edhe procesin e komunikimit që kishte pasur me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Në ora 15:55 më ka thirr kryetari i Gjilanit, më ka thënë Izet e kemi një qytetar që është ardh dje dhe është vendos në karantinë dhe ka shqetësime psikologjike. I kam thënë dërgomi të dhënat e qytetarit dhe dërgo një email zyrtar në qendrën operative. Në ora 15:57 minuta mi ka dërgua të dhënat kryetari i Gjilanit. Unë në ora 15:59 e kom thirr menaxherin dr. Valdetin e kom njoftua me të njëjtin mesazh që mi ka dërgua kryetari i Gjilanit, dhe i kam thënë të shkruan email edhe qendra e Gjilanit. Në ora 16:06 minuta, menaxheri i qendrës më ka thënë se tash e bëjnë kërkesën sepse kanë edhe disa tjerë. Ky ka qenë komunikimi që kam pasur me kryetarin e Gjilanit dhe menaxherin”, ka thënë Sadiku, shkruan Telegrafi.

Ai ka thënë se hera e parë që ka dëgjuar për të ndjerin Agon Musliu ka qenë data 3 maj 2020.

Kryetarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari-Lila ka pyetur infektologun Sadiku se gjatë komunikimit me kryetarin e Gjilanit a është përmendur ndonjë diagnozë tjetër pasi që babi i të ndjerit ka prezantuar një raport mjekësor se Agoni ka pasur probleme me mëlçinë.

Sadiku ka thënë se jo, dhe se adresimi i vetëm te ai ka qenë që i ndjeri ka pasur shqetësime psikologjike.

“Adresimi të unë ka qenë vetëm se ka shqetësime psikologjike dhe ka nevojë për një mjek dhe atë shqetësim e kam adresua unë”, ka thënë Sadiku.

Ai është pyetur nga anëtarja e këtij komisioni deputetja Eliza Hoxha, se a ka pasur dikush shqetësim për Agonin më herët.

Infektologu ka thënë se i vetmi komunikim dhe hera e parë që ka dëgjuar për emrin e tij ka qenë ora 15:55.

“Asnjë informatë më herët prej dikujt nuk kam pasur për të, as që ka ardhur e as për shqetësimet që ka pasur”, ka thënë Sadiku. /Telegrafi/