Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka thënë se shteti i Kosovës duhet të ketë kujdes sa i përket veprimeve në territorin verior të vendit.
Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka kërkuar nga ministri aktual i kësaj ministrie, Xhelal Sveçla të jetë më i matur në deklaratat e tij në lidhje me çështjen e veriut.
Hoxha ka theksuar, se nëse pretendimet e Sveçles janë të sakta se ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës, kanë kryer sulme terroriste në veri, ata duhen të arrestohen menjëherë.
“Do duhej të ketë hetim të mirëfilltë për ta cilësuar si të tillë, sepse pastaj nuk do të ketë kthim prapa, sepse ato (veprat terroriste), janë veprat më të rënda që parasheh kodi penal, por që Ministri i Punëve të Brendshme do duhej ta ketë një bazë, dhe me siguri e ka në bazë të informatave, përndryshe do të ishte skandal nëse do të ishin vetëm deklarata politike”, ka thënë ai.
Deklaratat e tilla të Sveçles, sipas tij e komplikojnë edhe më shumë situatën në veri të vendit.
“Shqetësuese ishte sepse ishim në një fazë së uljes së tensioneve, dhe pritej kthimi i punonjësve të policisë të cilët kanë dhënë dorëheqje së fundi, e komplikon situatën, sepse shteti ynë ka informacione të sakta që në këto vepra terroriste apo kundër rendit kushtetues janë të involvuar ish-pjesëtarët e policisë, atëherë ata do duhej të fillojnë arrestimet”, ka thënë ai.
Hoxha tutje ka theksuar se shteti i Kosovës, për çdo veprim në veri së pari duhet të konsultohet me bashkësinë ndërkombëtare.