Site icon Telegrafi

Ish-zëvendës shefi i CIA-s për Ballkan: SHBA nuk do ta kundërshtojë ndryshimin e kufijve në Ballkan

Ish-zëvendës shefi i CIA-s për Ballkan, Steven Meyer, ka thënë për mediat serbe se Uashingtoni nuk është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, nëse për këtë pajtohen dy palët, duke aluduar në Kosovën dhe Serbinë.

Mayer, i njohur si mik i serbëve dhe për qëndrimet e tij kundër Kosovës, ka thënë se politika amerikane ka ndryshuar.

“Unë nuk besoj seUashingtoni do ta kundërshtojë, në qoftë se udhëheqësit e këtushëm dëshirojnë të ndryshojnë kufijtë. Gjermania ka frikë nga jostabiliteti, kurse BE-ja e ka pranuar si zgjidhje nëse palët pajtohen”, deklaroi Meyer, për gazetën serbe “Novosti”

“Miqve serbë ju kam thënë se duhet ta kuptojnë që shumica e Kosovës nuk mund të rikthehet pasi do të thoshte luftë. Por, zonën në veri të lumit Ibër është një histori tjetër”, tha Meyer, transmeton Telegrafi.

Sa i përket pjesës jugore të Kosovës, Meyer thotë se komuniteti serb ka mundësi të qëndrojnë ose të zhvendoset.

“Megjithëse pjesa më e madhe e politikës ndaj Ballkanit ka mbetur një çështje inercie e bartur nga e kaluara, administrata e Trumpit megjithatë beson në vetëvendosjen lokale, e cila është ‘një mundësi e vërtetë për udhëheqësit tuaj’”, theksoi Meyer.

Më tej, Meyer ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq është në gjendje të balancojë raportet mes Perëndimit dhe Rusisë, sepse Serbia ka interesa nga të dy anët.

“Është e rëndësishme që krerët e shteteve të bien dakord për një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve, pavarësisht faktit se gjithmonë do të ketë zëra kundër”, ka thënë Meyer. /Telegrafi/

Exit mobile version