Një ish-lojtar i Evertonit i cili ka luajtur me Wayne Rooney, është dënuar me 20 vjet burgim sipas raportimeve të fundit.
Bëhet fjalë për Li Tie, një futbollist që ka 40 paraqitje për klubin anglez e që më vonë u transferua tek Sheffield United, i cili ka marrë këtë dënim nga një gjykatë në Kinë.
Ish-përzgjedhësi i kombëtares së Kinës është shpallur fajtor për dhënie dhe marrje të ryshfetit për 11.9 milionë euro mes 2015 dhe 2021, siç kanë raportuar mediat e shtetit këtë të premte.
Ai kishte qenë nën hetime që nga viti 2022 për thyerje serioze të ligjit, ka raportuar The Independent.
Kjo vjen pasi qeveria kineze rriti përpjekjet e tyre për të ndalur korrupsionin në futbollin kinez, ku me qindra zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kinës u hetuan ose u dënuan.
Gjatë muajit mars, ish-shefi i kombëtares së Kinës, Chen Xuyuan, ishte dënuar me burg të përjetshëm për ryshfet prej 8.7 milionë euro.
Li është njëri prej futbollistëve më të famshëm në Kinë dhe kishte përfaqësuar shtetin e tij në 92 ndeshje, duke përfshirë një paraqitje në Kupën e Botës 2002.
Ai më pas mori drejtimin e Kinës, por aty dyshohet se kishte përzgjedhur disa lojtarë të veçantë për t’i ftuar, në këmbim të një shume parash prej 5.4 milionë eurosh.
47-vjeçari më pas kishte pranuar se kishte aranzhuar rreth 300 mijë euro për të mbajtur pozitën e tij në kombëtare, teksa ai ishte akuzuar edhe për trukim të ndeshjeve gjatë kohës sa ishte trajner i Hebei China Fortune dhe Wuhan Zall./Telegrafi/