Një ish-lojtar i Arsenalit i cili të enjten ka festuar ditëlindjen e 40-të ka lënë të nënkuptohet se ai mund ta blejë klubin në të ardhmen, pasi tashmë është konfirmuar statusi i tij si miliarder, falë investimeve që ka bërë pas pensionimit nga futbolli.
Bëhet fjalë për Mathieu Flamini, i cili mbahet mend nga tifozët e Arsenalit si një mesfushor i cili dha gjithçka në çdo ndeshje dhe kaloi vitet e tij më të mira të karrierës në Londër.
Ish-ylli francez është paraqitur në 153 ndeshje për Arsenalin në periudhën e tij të parë, duke fituar FA Cup dhe duke arritur fare pranë triumfit në Ligën e Kampionëve në vitin 2006.
Ai u rikthye për një aventurë të dytë në Angli në 2013, duke shtuar edhe 93 paraqitje pas periudhës pesëvjeçare në Itali tek Milani. Flamini tregoi njohuritë e tij në fushën e biznesit duke themeluar GFBiochemicals teksa ishte ende në kulmin e karrierës.
13 vite më vonë, Flamini mban 60 për qind të aksioneve në kompani dhe ushtron detyrën e drejtorit. Sipas revistës prestigjioze Forbes, kjo kompani i ka gjeneruar atij milionat.
Ish-ylli i “Topçinjve” thuhet se ka një pasuri në vlerë prej 10 miliardë eurosh, që do të ishte e mjaftueshme për të blerë çdo klub në Ligën Premier, duke përfshirë edhe Arsenalin.
Sidoqoftë, pronari i Arsenalit, Stan Kroenke, deri më tani i ka rezistuar të gjitha tentimeve për shitjen e klubit.
“Natyrisht, këto klube (Arsenal dhe Marseille) kanë një vend të veçantë në zemrën time. Unë kurrë nuk e harroj se nga kam ardhur. Në jetë, ju kurrë nuk e dini por ka të bëjë me mundësinë e duhur. Unë jam një besimtar i vërtetë në kohën e duhur, vendin e duhur, me njerëzit e duhur. Të shohim se çfarë na premton e ardhmja”, është shprehur ish-mesfushori i Arsenalit./Telegrafi/