Site icon Telegrafi

Ish-ushtari i UÇK-së që nuk e braktisi çiftelinë dhe sharkinë as gjatë luftës

Ish-ushtari i UÇK-së, Abaz Qaka / Foto nga Fatjona Pelaj

Dashuria për atdheun është përcjellë gjithmonë me këngë dhe me vegla muzikore siç janë çiftelia dhe sharkia. Kështu ishte edhe për ish-ushtarin e UÇK-së, Abaz Qaka, i cili me anë të këtyre instrumenteve arriti që sadopak të zbuste dhimbjen e asaj periudhe të vështirë për Kosovën.

Në mes dhimbjes dhe krenarisë Qaka rrëfen historinë se si është i lidhur me këto vegla dhe si ato nuk i la as gjatë periudhës së luftës.

“Nonstop e kam pas me vete bile një fishek e ka kap sharkinë që e kam pas me vete e ma bëri copash… pa të nuk mund të rrimë së paku pa katër vegla nuk mund të rri, tri sharkia një çifteli kurrë nuk i shes”, ka thënë Qaka transmeton Telegrafi.

Përkundër vuajtjeve dhe vështirësive ai vazhdon të merret me punimin e këtyre instrumenteve, gjersa thotë se edhe pse invalid i luftës vazhdon t’i qëndrojë besnik traditave shqiptare tash e 40 vjet, duke punuar lloje të ndryshme të veglave muzikore.

Ish-ushtari i UÇK-së Abaz Qaka /Foto nga Fatjona Pelaj

“Invalid i luftës, por që 40 vjet merrem me mjeshtërinë e veglave çiftelisë, sharkisë, lahutave. Përpara ka qenë e vështirë nuk ka pas mjete, kanë qenë disa mjete, tash janë mjetet nuk është punë e vështirë, por ka shumë shitje të madhe janë shumë të interesuar njerëzit”, u shpreh ish–pjesëtari i UÇK-së.

Çifteli të punuara nga Abaz Qaka /Foto nga Fatjona Pelaj

Si çdo profesion edhe ndërtimi i veglave muzikore ka vështirësitë e veta, por për Qakën si çdo punë nëse bëhet me dëshirë dhe pasion lodhja është më e pakët.

Sipas tij, për të dal një instrument i mirë koha që duhet t’i përkushtohet shkon deri edhe në një javë.

“Është e vështirë se duhet njëherë të shkohet në bjeshkë ta marrim drurin, pastaj ta zgjedhim, të thahet druri pastaj duhet ta çelim e ta montojmë,… ka punë. Një çifteli me përgatit mirë një javë bënë me të gjitha në rregull ama mundesh edhe për 15 ose 20 orë varet, por ka leverdi. Unë nuk mundem të punojë aq sa ka kërkesa. Nuk punojë shumë se tash jam plak, e i kam 62 vjet, por ka interesim të madh”, është shprehur ai.

Instrumente të punuara nga Qaka/Foto nga Fatjona Pelaj

Për Qakën çiftelia mbetet si instrumenti më i mirë, por njëkohësisht edhe më i vështiri për tu mësuar.

“Çiftelia është më e vështirë, deri në moshën 20 vjeçare dhe pastaj nuk mund të mësohet ndërsa sharkinë mundesh ta mësosh, çiftelia është ndër veglat më të vështira, nuk ka vegël më të vështirë”, përfundon Abaz Qaka.

Gjithashtu Qaka ka theksuar se kërkesat për instrumentet shqiptare si çiftelia, sharkia dhe lahuta janë të mëdha, jo vetëm nga moshat e mesme dhe të vjetra por edhe ata të rinj. /Telegrafi/

Exit mobile version