Një ish-ushtar gjerman i ekstremit të djathtë është burgosur pasi është paraqitur si refugjat sirian dhe ka planifikuar të kryejë një sulm terrorist.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Franco Albrecht u shpall fajtor për “planifikimin e një akti të rëndë dhune që kërcënonte sigurinë e shtetit”, tha të premten gjykata në Frankfurt.
Bëhet e ditur se 33-vjeçari u dënua me pesë vjet e gjysmë burg pas një gjyqi të gjatë.
Prokurorët gjermanë e kishin përshkruar Albrechtin si një “terrorist të ekstremit të djathtë”, i cili ishte frymëzuar nga ideologjitë ekstremiste “për disa vite”.
Ata e akuzuan atë se po përpiqej të fajësonte refugjatët për sulmin e tij dhe të minonte besimin e publikut në politikën e azilit të qeverisë gjermane.
“I pandehuri kishte një ideologji nacionaliste, raciste dhe antisemitike”, vendosi gjykatësi Christoph Koller.
Si toger në ushtri, ai kishte qenë i vendosur në bazën franko-gjermane në Illkirch afër Strasburgut përpara se të pozonte me sukses si refugjat në vitin 2015.
Albrecht – që pretendon se quhej David Benjamin – arriti të marrë një leje qëndrimi gjermane dhe 4,000 euro përfitime shtetërore si azilkërkues. Thuhet se ai u kishte thënë autoriteteve të emigracionit se ishte një shitës ushqimor nga Damasku.
Ai u arrestua përfundimisht në prill të vitit 2017 teksa po përpiqej të merrte një armë që e kishte fshehur në një tualet në aeroportin e Vjenës. Autoritetet gjermane më pas nisën një hetim kur gjurmët e gishtave të tij përputheshin me ato të regjistruara si azilkërkues.
Objektivat e sulmit të tij dyshohet se përfshinin ish-ministrin gjerman të drejtësisë Heiko Maas, ish-zëvendëskryetaren e Bundestagut, Claudia Roth dhe një një aktiviste hebreje për të drejtat e njeriut. /Telegrafi/