Site icon Telegrafi

Ish-ushtarëve të UÇPMB-së nuk u njihet statusi i veteranit, paralajmërojnë protestë para Qeverisë (Video)

Mbi 100 ish luftëtarëve nuk po u njihet statusi i veteranit, edhe pse ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB). Ata kanë paralajmëruar se nesër (e martën), do të protestojnë para Qeverisë së Kosovës.                                                                                                                                              

Disa ish-ushtarëve të UÇPMB-së nuk po iu njihet statusi i veteranit të luftës. Njëri nga ta është edhe Bajram Haziri, i cili thotë se për të kërkuar statusin që po u mohohet, ai së bashku me bashkëluftëtarët do të protestojnë të martën para Qeverisë së Kosovës.

“Më mohohet statusi si ish-ushtar i UÇPMB-së në Zonën e Karadakut. Nga fillimi kam qenë pjesëtar i  UÇPMB-së në fshatin Dobrosin. Komandant e kam pasur Feriz Kabashin. Më pas kam kaluar në zonën e Qarrit. Nesër e kemi një protestë të qetë para Qeverisë”, deklaroi Bajram Haziri për RTV Dukagjinin.

Haziri thotë se fajtor për mohimin e statusit të veteranit është, ish – komandanti i UÇPMB-së, Shefket Musliu.

“Unë fajtor për këtë çështje e bëj Shefket Musliun, sepse ai ka qenë komandanti kryesor i të gjitha zonave. Ai është ai që duhet të nënshkruajë dokumentet që në të përfitonim këtë status”, tha Haziri, përcjell Telegrafi.

RTV Dukagjini ka provuar të kontaktoj me ish-komandantin Shefket Musliu, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Haziri, përveç dokumenteve që posedon, ka si dëshmi se ka qenë pjesë e UÇPMB-së  edhe ish-komandantin e UÇPMB-së, Feriz Deliun i njohur me nofkën “Komandant Kabashi”.

“Bajram Haziri ka qenë një ndër luftëtarët më të mirë. Ky nuk është i vetmi, janë mbi 100 ushtarë që kanë marrë pjesë në Zonën e Karadakut, e që sot janë pa status. Shkaktarët janë përfaqësuesit tonë që vet më së paku kanë marrë pjesë në vijat e frontit e nuk i kanë njohur ushtarët. Neve nuk na ka pyetur askush. Unë i kam premtuar Bajramit edhe të tjerëve se unë jam me ju dhe të tjerët ku të është e nevojshme për të thënë të vërtetën. Sot më vjen turp që këta nuk e gëzojnë statusin sikurse unë”, tha Feriz Deliu.

Janë mbi 100 persona të tjerë, që po thonë se nuk po ua njohin statusin e veteranit edhe pse ishin pjesë e UÇPMB-së./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version