Site icon Telegrafi

Ish-ushtaraku Veseli: Ekspozimi i dronëve i bëri dëm FSK-së

Ish-ushtaraku i FSK-së, Afrim Veseli në lidhje me dronët “Bayraktar” ka thënë se për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), është e rëndësishme të pajiset me armatime të tilla ajrore.

“Kanë një rëndësi shumë të madhe duke pasur parasysh që FSK pajiset për herë të parë me pajisje të tilla ushtarake”, tha ish-ushtaraku, Afrim Veseli në RTV Dukagjini.

Sa i përket ekspozimit të dronëve, ai theksoi se lajmi i publikimit të blerjes së dronëve i bëri dëm FSK-së.

“Unë e kam konsideruar gabim ekspozimin e dronëve…Lajmi i publikimit të blerjes së dronëve i bëri dëm FSK-së dhe mbrojtjes nacionale të vendit. Nuk është e duhur që Kosova me këto kapacitete që ka sot, të bëj vringëllimë të armëve”, vijoi ai.

Sipas tij, kjo çështje është politizuar aq shumë sa që i bën dëm edhe mbrojtjes nacionale të vendit. Ndër të tjera, ai theksoi edhe problemin e shfrytëzimit të hapësirës ajrore.

“Për çdo fluturim ushtarak duhet të koordinohemi me KFOR-in, apo me NATO-n”, theksoi Veseli.

Ndër të tjera, tutje ai tha se në aspektin ushtarak çdo pajisje e re me të cilën bëhet FSK-ja, e forcon atë në nivel ushtarak.

“Por, shpresoj shumë në mirëkuptimin e NATO-s dhe SHBA-ve, dhe ta lënë anash aspektin politik ta përkrahin FSK-në për zhvillimin e kapaciteteve ajrore”, vijoi ai.

Tutje, Veseli tha se nuk duhet keqpërdorur kjo arritje e FSK-së për përfitime politike duke përmendur edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin, Albin Kurti, duke i ekspozuar armët.

Këtë veprim, Veseli e ka cilësuar si gabim të rëndë të krerëve shtetërorë.

Ndryshe, më 16 korrik, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për blerjen e dronëve Bayraktar TB-2 nga Turqia, por nuk ka treguar për numrin e tyre.

Në prezantimin e dronëve të dielën, Kurti u shoqërua nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.

Me blerjen e dronëve, Kurti ka vlerësuar se Kosova tash është edhe më e sigurt.

Ai ka përgëzuar oficerët të cilët kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve./Dukagjini/

Exit mobile version