Neil Warnock pritet që të rikthehet përsëri në stol, kësaj radhe duke drejtuar një ekip në Skoci për herë të parë në karrierën e tij menaxheriale.
75-vjeçari i cili dha dorëheqje nga posti i trajnerit tek Huddersfieldi shtatorin e vitit të kaluar, më herët kishte thënë se nuk e ka në plan që të pensionohet.
Ai më herët ishte lidhur me një numër të madh ekipesh në Championship, duke përfshirë Sunderlandin dhe Sheffield Wednesday, por tani duket se më fund ai do të bëhet me ekip të ri.
Warnock pritet të marrë drejtimin e ekipit të Aberdeen që bën gara në elitën e futbollit skocez, pas bisedimeve pozitive me krerët e klubit.
Në fakt, Warnock mund ta nis aventurën e tij në Skoci duke filluar që nga dita e martë në derbin ndaj Rangers ka raportuar BBC Sport. Ai më herët gjithmonë e kishte shprehur dëshirën që të drejtonte Skocinë ose ndonjë klub nga ky vend.
“Më pëlqen Skocia, por unë kurrë nuk kisha ndonjë ofertë, ani pse mendoj se isha afër Hearts një herë, por ata e punësuan një idiot nga Latvia, kështu që ata nuk më deshën mua”, ka thënë Warnock.
Warnock pritet të emërohet si trajner i përkohshëm i Aberdeen të paktën deri në verë, derisa të bëhet një zgjedhje e përhershme./Telegrafi/