Erling Haaland është sulmuesi i momentit në Evropë, falë golave dhe asistimeve të tij.
Sulmuesi norvegjez ka shkëlqyer fillimisht me Red Bull Salzburgun e pastaj edhe me Borussia Dortmundin ku u transferua në janar.
Me fanellën verdhezi, Haaland ka shënuar 11 gola në shtatë ndeshje, duke bërë që gjithë Evropa të flas për të.
E ish-sulmuesi norvegjez Jan Age Fjortoft mendon se Haaland nuk do të largohet nga Borussia Dortmundi këtë verë as për 100 milionë euro.
“Dortmund është një klub që e shiti Dembelen për më shumë se 100 milionë euro, por nuk do ta bëjë të njëjtën gjë me Haaland”.
“I di disa detaje të kontratës që ka një klauzolë prej 75 milionë euro, por nuk mendoj se ai do të largohet as për 100 milionë në afatin kalimtar të verës”.
“Mendoj se është më e mençur që Haaland të qëndrojë edhe për edicionin e ardhshëm dhe të rritet edhe më shumë si lojtarë”, deklaroi Fjortoft.
53-vjeçari që gjatë karrierës së tij ka luajtur në 71 ndeshje me Norvegjinë ka lavdëruar zgjedhjen që ka bërë bashkëkombësi i tij.
“Haaland ka bërë një veprim të mençur duke zgjedhur Dortmundin para Manchesterit, Liverpoolit, Juventusit apo Realit. Jam i befasuar që ka shënuar kaq shumë gola, megjithatë pres edhe më shumë nga ai”, përfundoi ish-futbollisti norvegjez. /Telegrafi/