Përsa i përket sulmuesve të dalë nga akademia e La Masia, një nga më premtuesit në vitet e fundit ishte Ferran Jutgla. Megjithatë, 24-vjeçari u përpoq të kishte një ndikim në ekipin e parë dhe përfundoi duke u larguar në drejtim të Club Brugge në verën e vitit 2022.
Edhe pse minutat e tij në ekipin e parë linin për të dëshiruar, Jutgla beson se do të kishte shfrytëzuar shansin nëse do t’i jepej më shumë nga trajneri Xavi Hernandez.
Në një intervistë për Catalunya Radio ai tha se beson se mund të kishte qenë pasardhësi afatgjatë i Robert Lewandowskit.
“Sigurisht që mendoj se mund të kisha qenë një zëvendësues i mirë për Lewandowski, por kur u largova e dija se kishte shumë sulmues të tjerë dhe doja të luaja. Më duhej të merrja një vendim dhe këtë bëra”, ka thënë Jutgla.
Jutgla ka shfaqur një formë mbresëlënëse që kur iu bashkua Club Brugge, edhe pse ai ka luftuar për të siguruar një pozitë startuesi deri më tani këtë sezon. Barcelona në anën tjetër është e qetë sa i përket situatës së sulmuesve, veçanërisht duke pasur parasysh që Vitor Roque do të vijë në 2024.
Deri më tash, Jutgla numëron 16 gola dhe tetë asistime për klubin belg, shifra këto që pritet të rriten në vazhdim./Telegrafi/