Ai sot është futbollisti më i mirë në botë (në fuqi), por në fëmijëri ka vuajtur shumë.
“Zakoni” i tij ishte t’ia plaste vajit sa herë që humbte ose nuk i pasonin topin. Për kë po flasim? Epo, vështirë se mund të ketë dyshime: Cristiano Ronaldo.
Një ish-shok skuadre i tij ka zbuluar se nofka e yllit aktual të Real Madrid-it dikur ka qenë “Qaramani”, pikërisht prej shpërthimeve emocionale.
Ricardo Santos ka luajtur me 4-herë fituesin e “Topit të Artë” në skuadrën amatore CF Andorinha në Madeira, aty ku i ati i Ronaldos kujdesej për fanellat e lojtarëve.
“I thonim se ishte qaraman, sepse Ronaldo që atëherë donte me çdo kusht të fitonte dhe, kur humbte apo djemtë e tjerë nuk ia pasonin topin, e kishte për zakon të qante“, ka rrëfyer Santos së fundmi në “Reuters”.
Pikërisht kjo dëshirë për të fituar e ka ndihmuar 32-vjeçarin të fitojë katër tituj kombëtarë dhe tri Liga të Kampionëve gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme te Manchester United dhe Real Madrid.
Vitin e kaluar ai u shpall kampion Evrope si kapiten i Portugalisë, madje duke mbyllur një 2016 me çdo trofe ndërkombëtar në duar. /Telegrafi/