Zdravko Mamic gjatë ditës së sotme (e martë) ka mbajtur një konferencë për media në Mostar, në të cilën ka folur si i arratisur nga drejtësia kroate dhe e ka komentuar vendimin që e ka dënuar me gjashtë vjet e gjysmë burg.
Ish-shefi ekzekutiv i Dinamo Zagrebit ka folur në lidhje me dënimin ndaj tij dhe e ka shfrytëzuar një pjesë të shkurtër të prezantimit për të theksuar se, sipas tij, është dashur të dënoheshin edhe Luka Modric dhe Dejan Lovren, pasi kanë pranuar para nga ai.
“Vëllai im dhe unë nuk jemi të dënuar për asnjë kunë (monedhë kroate) të vetme taksash. Nga Luka Modric e Dejan Lovran, ata i kanë pranuar në llogaritë e tyre shumat e parave që më ngarkohen mua. Luka Modric ka edhe sot miliona euro në atë llogari, të cilat i ka ndarë me mua si investues përmes një marrëveshjeje private. E kam pranuar si i arratisur”.
“Ne jemi takuar dhe e kemi nënshkruar marrëveshjen për ndarjen e parave, ai i ka tërhequr paratë, një pjesë ma ka dhënë mua. Kurrë asnjë lojtar në histori nuk ka paguar asnjë lipë (e njëqinda e kunës) tatim. Të vetmit në histori që kanë paguar kanë qenë Dinamo. Nëse vëllezërit Mamic duhet t’i kthejnë paratë, atëherë duhet t’i kthejnë edhe Lovren dhe Luka Modric”, citon index.hr fjalët e tij.
“Ata janë bashkëpunëtorë, paratë janë tek ata, ata kanë ardhur në gjykatë, kanë thënë: ‘Ne kemi nënshkruar anekse’. Ose jemi bashkë në vepër ose askush nuk është. Çfarë lloj inteligjence është e nevojshme, çfarë lloj shkence është e nevojshme?”.
“Si është e mundur që të 93 dëshmitarët e Prokurorisë, të gjithë të dëshmonin në favor të vëllezërve Mamic. Të gjithë kanë dëshmuar në favor tonin. Ndërsa gjykata gjatë periudhës së gjykimit, kur e pa se gjithçka po bie në ujë. Ndërsa gjykata gjatë periudhës së gjykimit, kur e pa se gjithçka po bie në ujë, përmes filialit të saj simotër ngriti aktakuzë ndaj Lovrenit dhe Modricit për dëshmi të rreme”, ka shtuar më tutje.
Ndryshe, Zdravko Mamic është shpallur fajtor për të gjitha pikat e akuzës, ndërsa pas ndërhyrjes së Gjykatës së Lartë kroate, përfundimisht është dënuar për të gjitha pikat pos njërës. Dënimi kryesor ka të bëjë me shmangien e tatimit dhe përvetësimit të parave të transferimit të Luka Modricit te Tottenham Hotspur (2008) dhe Dejan Lovrenit te Lyoni.
Zoran Mamic dhe Milan Pernar janë shpallur fajtorë për për uljen e detyrimeve tatimore të Mamicit dhe pranimin e ryshfetit, kurse Zoran Mamic edhe për dhënie të ryshfetit. Zdravko dhe Zoran Mamic janë fajtorë për pikën e tretë të akuzës, gjegjësisht për ndarjen e transferimit për Dejan Lovren, ndërsa Zdravko Mamic edhe për ndarjen e transferimit për Luka Modric. /Telegrafi/