Site icon Telegrafi

Ish Sekretari i OBI-së, Ekmeledin Ihsanoglu merr pjesë në Konferencën Shkencore kushtuar ish-myftiut Rexhep Boja

Ish Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik(OBI), Akademiku dr. Ekmeledin Ihsanoglu po qëndron enkas në Kosovë për të marrë pjesë në Konferencën shkencore “Dr. Rexhep Boja – prijës, vizionar dhe burrështetas i shquar”.

Ekmeledin Ihsanoğlu gjatë viteve 2008-2013 ka qenë sekretar i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI). Nga kjo pozitë e rëndësishme, Ihsanoglu ishte një mbështetës dhe përkrahës i pavarësisë së Kosovës.

Ai është angazhuar personalisht vetë në fushatën lobuese për të siguruar njohjen e shtetësisë e mëvetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare, sidomos te shtetet që janë pjesë e OBI-së, ku dha një kontribut të madh në krah të Kosovës dhe diplomacisë së saj, për çka meriton respekt dhe mirënjohje, shkruan Dukagjini.com.

“Dr. Ekmeledini ka një lidhje emocionale me Kosovën, ngase babai i tij, Ihsan efendiu ka qenë mik i ngushtë me vendasin tonë, dijetarin e shquar Ali efendi Jakupi, ndërsa vetë Ekmeledini ka qenë nxënës i Ali efendiut. Dr. Ekmeledini për Ali efendi Jakupin ka shkruar edhe zërin bibliografik në Enciklopedinë Islame (Ekmeluddin Ishanoglu: Cenkçikler, Ali Yakup (1913-1988); Islam Ansiklopedisi, Cild 7, Istanbul 1993, sayfa 370-371)”, ka shkruar Ramadan Shkodra, drejtori për Kulturë dhe veprimtari botuese në Bashkësinë Islame të Kosovës(BIK).

Shkodra thotë se ishin të nderuar që me Myftiun Tërnava t’i dhurojnë përmbledhjen e botuar në gjuhën shqipe për Ali efendiun, për të cilën veçse ishte në dijeni dhe e mirëpriti, duke i sjellë një emocion të veçantë.

“Duhet theksuar se dr. Ekmeledini ka qenë mik edhe me ish-myftiun dhe ish-ambasadorin dr. Rexhep Boja, miqësi që vazhdon ta kultivojë tani edhe me myftiu aktual, Naim ef. Tërnava. Dr. Ekmeledini meriton vëmendjen e institucioneve tona për atë që ka bërë për Kosovën”.

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) do të organizojë një konferencë shkencore në nder të ish-myftiut dhe ish-diplomatit të shquar, Rexhep Boja, i cili ndërroi jetë në shtator të vitit 2021.

Konferenca, e titulluar “Myftiu dr. Rexhep Boja – prijës vizionar dhe burrështetas i shquar”, do të mbahet më 18 dhe 19 tetor në Prishtinë.

Exit mobile version