Telegrafi

Ish-reprezentuesi i Kamerunit merr fletlëshimin prej Serbisë, edhe Osmanollaj kalon lëndimin: Liria më e fortë kundër Flamurtarit

Liria ka shënuar fitoren e parë sezonale pas dy humbjeve të njëpasnjëshme.

Prizrenasit duket se janë këndellur me fitoren kundër kampionit të Kosovës, Dritës, të cilën e mposhtën me rezultat 3-2.

Por, “Arpagjik’t” nuk e kanë pasur ndihmën e disa prej futbollistëve duke përfshirë mbrojtësit, ish-reprezentuesit të Kamerunit, Ibrahim Walidjo si dhe mesfushorit, Granit Osmanollajt.

I pari deri gjer në javën e kaluar nuk kishte të drejtë të paraqitej për bardhezinjtë pasi që Federata e Futbollit të Serbisë nuk ia jepte fletshënimin, të cilin e ka marrë tashmë dhe do të jetë i gatshëm për paraqitjen e parë në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.

Liria gjithashtu në takimin e radhës do ta ketë në dispozicion edhe Osmanollajn, i cili është rikthyer pas lëndimit dhe është i gatshëm për të bërë paraqitjen e parë sezonale.

Liria theksojmë se gjatë fundjavës do të takohet me liderin e ligës sonë elitare, Flamurtarin, i cili ka tre fitore në po aq ndeshje të zhvilluara.

Ndryshe, Liria zë pozitën e tetë të renditjes tabelore me tre pikë, po aq sa ka Ballkani dhe Ferizaji, por që kanë gol dallim më të keq se prizrenasit. /Telegrafi/